Antitrupat përgjysmohen tek pacientët që kalojnë virusin

Niveli i Antitrupave ndaj koronavirusit tek pacientët që e kanë kaluar, përgjysmohet brenda një muaji. Bëhet fjalë për rastet më pak të rënda të prekjes nga Covid-19, por tematika e përsëritjes së infektimit, bëhet edhe më shqetësuese, veçanërisht tani që duket se jemi botërisht në valën e dytë të pandemisë.

Është krijuar një test serologjik në gjendje të masë sasinë e antitrupave të prodhuar nga sistemi imunitar, si përgjigje ndaj prekjes nga virusi dhe kohëzgjatjen e tyre dhe efikasitetin në organizëm pas shërimit.

Testimet janë kryer mbi mjekë italianë të prekur nga Covid-19 dhe ka rezultuar se pacientët që e kishin kaluar në formë më të lehtë, pra në kushte shtëpie, kishin një nivel antitrupash në organizëm shumë më modest në krahasim me pacientët që kishin qenë nën terapi intensive. Dhe për më tepër është vërejtur që tek pacientët e grupit të parë, numri i antitrupave është përgjysmuar brenda 30 ditësh nga zhdukja e virusit nga organizmi.

Rezultatet e studimit të universiteteve italiane konfirmojnë që antitrupat kundër Covid-19 pakësohen me kalimin e kohës dhe nuk sjellin pothuajse asnjë siguri apo mbrojtje kundër koronavirusit. Pra edhe ata që e kanë kaluar tashmë sëmundjen, duhet të vijojnë të ruhen në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin seriozitet, pasi mjekët specifikojnë, se nuk janë të mbrojtur.

Klan Plus