Ekspertët, letër OBSH-së: Merrni masa për në vjeshtë

Një pjesë e madhe e vendeve në botë tani janë vendosur në hartën e kuqe pasi Covid-19 po bëhet edhe më agresiv në krahasim me muajt Mars-Prill kur epidemia shpërtheu.

Gazeta New York Times shkruan se mbi 200 shkencëtarë dhe ekspertë nga e gjithë bota i janë drejtuar me një letër OBSH, ku kërkohet që të merren masa të menjëhershme për shkak se situata mund të precipitojë në katastrofë.

Shkencëtarët shprehen se virusi tashmë po përhapet nga ajri dhe për aq kohë sa qëndron në ambiente të mbyllura rastet me infeksione do të rriten gjithnjë e më shumë. 

Më herët OBSH si dhe shumë mjekë kanë deklaruar se Covid-19 përhapet përmes stërkalave nga goja apo hunda, që çlirohen gjatë teshtimës apo kollës.

Në letër thuhet gjithashtu se qeveritë duhet të hartojnë plane emergjente për të furnizuar spitalet me aparatura, si dhe farmacitë me mjete mbrojtëse pasi koronavirusi sipas gjasave pritet të vijë edhe më i fortë në periudhën e vjeshtës. Po ashtu edhe maska do të duhet të bëhet e detyrueshme në të gjithë botën sidomos në ato vende ku Covid-19 tanimë po shkakton shumë vdekje.

Aktualisht në vend të parë qëndron SHBA-ja me gati 3 milionë të infektuar dhe 133 mijë kanë vdekur. Më pas vjen Brazili është bërë vatra e dytë e pandemisë, ku janë regjistruar mbi 1 milion të prekur dhe 65 mijë vdekje.

Ndërkaq i gjithë globi numëron mbi 11 milionë të infektuar nga ku 537 mijë kanë humbur jetën që kur Covid-19 u përhap në të gjithë botën.

Klan Plus