4 persona humbin jetën, 176 viktima në total

Arrin në 176 numri i viktimave në vend për shkak të Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 4 pacientë.

“Fatkeqësisht nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin infektiv, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, dy qytetarë nga Tirana, të dy 85 vjeç. Nuk kanë mundur të mbijetojnë në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi edhe 2 qytetare: Një 79 vjeçare nga Mirdita dhe një 81 vjeçare nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Një rekord negativ është shënuar sa i përket rasteve të reja ditore. Në 5 muaj pandemi, në vend është raportuar numri më i lartë i të infektuarve, me 130 raste të reja me Covid-19.

“72 raste në Tiranë, 13 në Shkodër, 6 në Fier, nga 5 raste në Kukës, Lezhë, 4 në Korçë, nga 3 raste në Mat, Roskovec, nga 2 raste në Krujë, Kavajë, Lushnje, Berat, Sarandë, nga 1 rast në Durrës, Elbasan, Has, Vlorë, Gjirokastër, Malësi e Madhe, Gramsh, Kuçovë, Skrapar”.

Situatë shqetësuese paraqitet edhe në spitale ku shtrimet mbeten të larta.

“Situata paraqitet serioze ku vijon të ketë raste të reja të identifikuara nga gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik, si dhe qytetarë që kanë nevojë për trajtim mjekësor në dy spitalet Covid. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 23 paciente janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar”.

Fatmirësisht 23 qytetarë janë shëruara nga koronavirusi, duke rezultuar negativ në tamponin për Covid. Që nga fillimi i epidemisë në vend rezultojnë 3054 persona të shëruar.

Tv Klan