Një 38-vjeçare në Greqi është ndarë nga jeta si pasojë e koronavirusit Covid-19. Parthena Koutmeridou ishte në muajin e 7 të shtatzënisë dhe nuk ishte e vaksinuar.

Ajo ishte avokate dhe vajza e ish-deputetit grek të PASOK, Stathis Koutmeridis.

38-vjeçarja nuk ishte vaksinuar nga frika për shkak se ishte shtatzënë. I ati i saj ka thënë për mediat greke se këtë rekomandim i kishte dhënë edhe gjinekologu.

Koutmeridou u infektua me Covid-19 në muajin e 7 të shtatzënisë dhe gjendja e saj u përkeqësua shumë shpejt. Ajo u dërgua për mjekim në një klinikë në Selanik, ku mjekët bënë ndërhyrje cezariane për të shpëtuar foshnjen.

I porsalinduri mundi të shpëtonte, ndërsa 38-vjeçarja ndërroi jetë mëngjesin e sotëm për shkak të gjendjes së rënduar. /tvklan.al