tsipras

Duket se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë po hyjnë në një moment tjetër kritik, ku tashmë shkak është prishja e një objekti në fshatin Dhërmi të Himarës, që sipas disa banorëve të zonës ishte ndërtesë kulti, ndërsa për autoritetet vendore thjesht një ndërtim pa leje.

Gjuha e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të qeverisë tashmë të dorëhequr greke, se “veprime të tilla kryhen vetëm nga xhihadistët dhe se hapat e Greqisë pas kësaj do t’i mësokemi më vonë”, janë as më shumë e as më pak një kërcënim i hapur. Një kërcënim për një qeveri apo për autoritetet vendore të një shteti Sovran, me institucione të pavarura ligj zbatuese dhe rregulla për tu respektuar nga të gjithë.

Nëse sot në Dhërmi dhe nesër në Tiranë, Durrës, Korçë apo Shkodër do të ngrihen edhe të tjerë të ndërtojnë nga ndonjë kishëz, teqe apo xhami pa leje me pretekstin se është objekt kulti, atëherë INUK – ut do t’i duhej t’i vinte në ndihmë edhe ushtria.

Kisha Ortodokse, ashtu si ajo katolike apo komunitetet e tjera fetare janë me të vërtetë të pavarura nga shteti, por kjo nuk i përjashton ato nga respektimi i ligjeve në fuqi ashtu si dhe për çdo qytetar tjetër të Republikës së Shqipërisë.  Dhe nëse, ka diçka që e shqetëson hirësinë e tij Janullatos, edhe për rastin konkret të së ashtuquajturës, Kishë të Dhërmiut, ai normalisht duhej të kërkonte sqarime nga Kryeministri i Shqipërisë dhe jo të ankohej direkt tek Kryeministri i Greqisë.

Janullatos është me të vërtetë shtetas me kombësi greke, por është në krye të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ndaj  para se t’ja behë në Athinë duhej të kërkonte njëherë takim me Kryeministrin apo Presidentin e Shqipërisë, te ankohej apo të merrte sqarim tek ata, e nëse nuk e gjente dot gjuhën e përbashkët mund t’i drejtohej patriotëve të tij, të cilët nga ana e tyre, vazhdojnë ta konsiderojnë kishën dhe besimtarët ortodoksë shqiptarë si pjesë e shtetit grek, duke mos lënë mënjanë dhe kërcënime si ato të sotmet nga zyrtarët e vegjël të Tsiprasit, i cili edhe pse nuk di si të bëjë rrogat e muajit të ardhshëm për buxhetorët grekë, paska kohë të merret edhe me ndërtimet pa leje të Dhërmiut në Shqipëri.

Dy ditë më parë edhe ish – Kryeministri Berisha kritikoi publikisht qëndrimin e qeverisë greke në lidhje me këtë çështje, duke e konsideruar ate si të papranueshëm.

Sali Berisha – Ish – Kryeministër i Shqipërisë: Qeveria greke nuk është qeveri e Perandorisë Bizantine, është qeveri e një vendi anëtar të Bashkimit Europian dhe duhet të çlirohet nga dogma sipas të cilës ortodoksit janë vetëm grekë. Së dyti, Himara ska qenë dhe nuk është kurrë zonë minoritare, Himara është një bastion i fuqishëm i shqiptarisë dhe atdhetarisë me një popullatë me gjashtë fshatra dhe qytetin e Himarës bilinguale, dy gjuhëse. Ndaj dhe as nuk mund të bëhet fjalë për minoritet, as nuk është në interesin e qeverisë greke apo të marrëdhënieve që të marrë funksione bizantine të trashëguara nga një perandori që është shuar prej shekujsh”.

Marrëdheniet mes feve dhe shtetit, apo ato mes dy shteteve nuk mund të cënohen nga një ndërtim pa leje, që për më tepër tenton të manipuloje edhe historinë e një  komuniteti.

Tv Klan