Pas rikthimit te Manchester United, Cristiano Ronaldo ka bërë një dedikim kushtuar “Djajve të Kuq”, ekipit ku portugezi la gjurmë dhe që shënjoi më pas karrierën e tij si një nga futbollistët më të mirë të botës për vite me radhë.

Ronaldo ndihet i emocionuar për rikthimin në stadiumin “Old Trafford” dhe thotë se historia e tij me Manchester United është e “gdhendur” me shkronja të arta.

“Kushdo që më njeh, e di dashurinë time të pafund për Manchester United. Vitet që kalova në këtë skuadër ishin absolutisht të mahnitshme dhe rrugëtimi që kemi bërë së bashku është shkruar me gërma të arta në historinë e këtij institucioni të madh. Nuk mund të shprehem se si ndihem në këto momente pasi kam parë njoftimin në të gjithë botën për rikthimin tim në ‘Old Trafford’. Është një ëndërr e realizuar, pas të gjitha kohëve që u ktheva për të luajtur kundër Manchester United, madje dhe si kundërshtar, nuk kam ndjerë ndonjëherë dashuri dhe respekt më të madh nga tifozët në stadium. Kjo është absolutisht 100% një nga gjërat që është realizuar”.

Të gjitha arritjet e tij, Ronaldo ia dedikon lidhjes që ka patur dikur me “Djajtë e Kuq”, e sidomos me trajnerin historik të këtij ekipi, Sir Alex Ferguson, të cilin nuk harron ta vlerësojë sërish.

“Pjesëmarrja ime në ligën e parë vendase, Kupa ime e parë, aktivizimi im i parë në ekipin kombëtar të Portugalisë, Champions League ime e parë, Këpuca ime e parë e Artë, Topi i parë i Artë, të gjitha kanë lindur nga kjo lidhje e veçantë mes meje dhe “Djajve të Kuq”. Historia është shkruar në të kaluarën dhe historia do të shkruhet edhe njëherë. Ju jap fjalën. Unë jam këtu. Jam kthyer aty ku kam vendin. Le ta bëjmë të ndodhë edhe njëherë. Sir Alex, kjo është për ty”.

Cristiano Ronaldo u transferua nga Juventus tek Manchester United, duke u rikthyer pas 12 vitesh në skuadrën ku nisi rrugëtimin drejt suksesit. /tvklan.al