Vetëm pak ditë më parë qarkulloi një foto nga brenda Gazës ku shfaqej tymi që dilte pas shpërthimit të një bombe të furnizuar nga SHBA-ja dhe të dallueshme në sfond ishin disa parashuta të zeza që lëshonin nga qielli ndihmën e SHBA-së ekzaktësisht në të njëjtën lagje. Disa thanë se kjo foto mund të ishte kopertina ideale rreth “çrregullimit” të botës që ka shkaktuar lufta 6-mujore në Gaza. Një çrregullim që ende nuk ka parë një aktor dominant, sistem vlerash apo institucione funksionale.
Fuqitë e mëdha konkurrojnë, bashkëjetojnë ose përballen me njëra-tjetrën në të gjithë rajonin, por asnjëra, më së shumti në OKB, nuk është në gjendje të imponojë versionin e saj të rendit botëror.
“Harrojini bisedat për unipolaritet apo për multipolaritet. Lindja e Mesme është jopolare. Askush nuk është në krye aty”, tha gazetari Gregg Carlstrom.
Lufta supozohet të jenë nëna e të gjithë gjërave, sipas Heraklitit dhe janë shumë ata që parashikojnë që kjo luftë do të përcaktojë çdo gjë në të ardhmen dhe do të jetë një pikë kthese në favorin e tyre. Irani beson se SHBA është më pranë detyrimit të largohet nga Iraku sesa ndonjëherë në këto dy dekada dhe Presidenti Ebrahim Raisi tha se lufta në Gaza do të çojë në një “transformim të rendit të padrejtë që udhëheq botën”. Aleati i Iranit, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasralla, grupi i të cilit ka shkëmbyer zjarr me Izraelin në kufirin libanez pretendon në “agimin e një faze të re historike” për të gjithë Lindjen e Mesme dhe që Izraeli nuk do të mund ta përballojë “rezistencën e al-Aqsa”. (Xhamia al-Aqsa që gjendet në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit)
Ndërsa Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, u betua më 9 Tetor, dy ditë pas sulmit të Hamasit në Izrael që edhe nxiti nisjen e luftës, që rajoni do të ndryshojë në përfitim të Izraelit. “Ajo që do t’i bëjmë armiqve në ditët në vijim do t’u kumbojë atyre për gjenerata”, tha ai.
Gjashtë muaj më vonë, askush nuk beson akoma se kanë humbur. Dhe mes këtyre vlerësimeve kontradiktore ndodhen edhe Kina e Rusia të cilat nuk ngrenë as gishtin për të lehtësuar shqetësimin e SHBA-së. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, fajësoi amerikanët për mënyrën si i kanë trajtuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe Palestinës në këtë rrëmujë.

“Ishte politika e Uashingtonit për të monopolizuar ndërmjetësimin dhe për të minuar kuadrin ligjor ndërkombëtar për një zgjedhje që rezultoi në përshkallëzimin aktual”, tha Lavrov.
Mbështetja e SHBA-së për Izraelin në luftën në Gaza u shfrytëzua gjithashtu si një shans i artë nga Rusia pas luftës së saj në Ukrainë. Lavrov e përshkroi Amerikën si “jashtëzakonisht hipokrite dhe me standard të dyfishtë”.
Leksioni nga Gaza është se ndoshta ka ardhur koha që tryezës së lartë, t’i bashkohen zëra të rinj.
“Kjo luftë është e tmerrshme, por flet për një problem më të madh, mungesën e reformës në institucionet e qeverisjes globale, duke përfshirë kryesisht Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ata ndjejnë se rendi botëror është thellësisht asimetrik dhe i dëmshëm për interesat e tyre. Tre vetot e SHBA-së tregojnë se si janë përthyer rregullat”, tha Felipe Nasser, këshilltar i lartë në Ministrinë e Jashtme braziliane.
Edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka folur për një krizë të ngjashme. “Sistemi aktual ndërkombëtar, pa koncepte themelore si solidariteti, drejtësia dhe besimi nuk mund të përmbushë as përgjegjësitë minimale”, tha ai. Ndërsa ministrja e Jashtme e Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, e ka përshkruar Gazën si manifestimin e fundit të një konflikti kundër kolonializmit e imperializmit. Madje ajo shkoi deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të provuar mendimin e saj.
Mes intelektualëve në Perëndim ekziston një ndjenjë se diçka e thellë po ndodh. “Katastrofa në Gaza ka larguar një segment të madh liberalësh dhe profesionistësh në botën arabe rreth pretendimeve perëndimore për ruajtjen dhe kujdesin për vlerat në drejtimin e politikës së jashtme. Ata shohin dështimin e Perëndimit mbi Gazën dhe ndihen të tradhtuar, ose për ata që ishin gjithmonë cinikë për Perëndimin tani ndihen të shfajësuar. Për shembull, ata që simpatizonin Ukrainën tani kanë ndryshuar pozicionin e tyre. Zyrtarët dhe diplomatët e lartë perëndimorë nuk kanë dijeni për këtë dinamikë”, tha Emile Hokayen, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
Bronwen Maddox, drejtuesi i Chatham House ka paralajmëruar për pasoja më të mëdha. “Akuza është se Perëndimi i shkruan rregullat për t’ia përshtatur vetes. Nëse vendet që mbështesin Ukrainën dhe që punojnë për paqe në Lindjen e Mesme nuk e kuptojnë sa e fortë është bërë kjo akuzë, ata do të dështojnë në zgjidhjen e të dyja konflikteve”, tha ai.
E kështu përballë kësaj “breshërie”, diplomacia amerikane nuk është duke shijuar orët e saj më të mira pasi çdo ditë është më e dukshme paaftësia e saj për të kontrolluar ngjarjet. Është kyçur në një luftë që nuk e kishte parashikuar, në një rajon që kërkonte ta linte pas e në mbrojtje të një aleati që refuzon të bëjë atë që ajo kërkon. Pakkush e parashikoi një zgjatje prej 6 muaj të këtij konflikti dhe diplomacia amerikane ka luftuar për t’i bërë ballë presioneve konfliktuale. Netanyahu, duke dashur të fitojë më shumë kohë për “t’i dhënë fund punës”, e ka treguar veten se nuk ka qenë i gatshëm të dëgjojë Joe Biden, ndërsa Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim, pavarësisht pikëpamjeve të saj mbi Hamasin, ka kërkuar që SHBA të bëjë një shkëputje vendimtare me Izraelin dhe të njohë Palestinën si një shtet. Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, ku SHBA-ja ka shumë aleatë, ka pretenduar se Izraeli ka përdorur urinë si armë ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë lëvizje që tregojnë një lloj pavarësie nga Uashingtoni.
Nëpërmjet aleatëve Houthi që sulmojnë anijet në Detin e Kuq, Irani e ka shfaqur veten si një lojtar të zhdërvjellët dhe ka pretenduar ndikim strategjik mbi tre pika kryesore ekonomike: kanalin e Suezit, ngushticën Bab el-Mandeb dhe ngushticën e Hormuzit në hyrje të Gjirit.

Diplomacia amerikane ka përjetuar humbje pas humbje. Më 27 Tetor, 121 shtete në Asamblenë e Përgjithshme [të OKB] mbështetën një armëpushim të menjëhershëm humanitar, me 14 vende që votuan kundër ndërsa 44 abstenuan. Më 12 Dhjetor, mbështetja për një armëpushim pa kushte u forcua, me 153 vende në favor, 10 kundër dhe 23 abstenime. Përveç SHBA-së, popullsia totale e vendeve që e mbështetën atë shkonte në 68 milionë banorë, duke e bërë të vështirë llojin e mbështetjes që duhet të ketë në dispozicion “fuqia e domosdoshme”.
Më 18 Dhjetor, SHBA shpalli emrat e vetëm 10 vendeve që ishin të gatshme t’i bashkoheshin operacionit “Rojtari i Prosperitetit”, një aleancë detare për të mbrojtur lirinë e lundrimit në Detin e Kuq. Përveç Bahreinit, që është shtëpia e flotës së pestë Amerikane, asnjë shtet arab nuk iu bashkua kësaj aleance.
Kur Biden mori presidencën e SHBA-së ai rekrutoi ekip talentesh të jashtëzakonshëm në fushën e politikës së jashtme, ndoshta ansamblin më të nderuar të ekspertëve të tillë në historinë moderne të SHBA-së. Atyre ai iu dha një mision të qartë: të rindërtonin aleancat e SHBA-së, të riparonin reputacionin e dëmtuar të Amerikës jashtë vendit dhe të përgatiteshin për sfidën në Detin e Kinës Jugore.
Çështja palestineze nuk ka qenë prioritet i Shtëpisë së Bardhë, por në rastin më të mirë diçka për t’u menaxhuar. Vlerësimi Kombëtar i Riskut në SHBA, në Mars të vitit 2023 nuk e përmendi çështjen palestineze. Ndërkohë zëdhënësit kur janë pyetur janë shprehur për një zgjidhje me dy shtete dhe dënuan qasjen izraelite për vendbanimet. Biden është i sigurt në ekspertizën e tij të politikës së jashtme dhe këshillat e tij fillestare për Izraelin, që të mos bëjë të njëjtat gabime që bëri SHBA-ja në luftën e saj kundër terrorit.
“Ndërsa ndjeni zemërim, mos u konsumoni prej tij”, tha ai. Kjo politikë bëhej për të mbështetur Netanyahu-n dhe familjet e pengjeve.
Biden ka keqkuptuar se si shoqëria izraelite ka ndryshuar gjatë dy dekadave të fundit dhe rrjedhimisht si të influencojë kundërpërgjigjen e Netanyahu-t ndaj sulmeve të Hamasit. Ai nuk parashikoi se çfarë ishte gati të bënte kabineti i luftës së Netanyahu-t për të shuar një traumë që kërkonte jo vetëm hakmarrje, por një ndryshim të pakthyeshëm dhe të keqpërcaktuar në marrëdhëniet me palestinezët në mënyrë që të sigurohej njëherë e përgjithmonë siguria e Izraelit. “Biden jeton me një Izrael, i cili ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë dhe sigurisht që nuk ekziston as sot”, tha Daniel Levy, ish-negociator izraelit në bisedimet e paqes me udhëheqësit palestinezë. Sipas tij, Izraeli po vetëmbrohet.
Në të njëjtën kohë, Biden nuk duhet të kishte iluzione rreth kompleksitetit të qeverisë izraelite, një koalicion i krahut të djathtë që përfshin edhe nacionalistët fetarë. Në Qershor 2023, ai pranoi se përfshinte disa nga anëtarët më ekstremë që kishte parë ndonjëherë, të cilëve u ishte dhënë pushtet dhe legjitimet i paprecedentë nga Netanyahu në mënyrë që të qeverisnin së bashku me partinë e tij Likud.

Biden e dinte se Netanyahu ka qenë figurë polarizuese në politikën amerikane që kur u emërua ambasador i Izraelit në OKB në moshën 35-vjeçare në vitin 1984. Është bërë e famshme fjalia e Bill Clinton pasi takoi Netanyahu-n për herë të parë duke iu drejtuar stafit të vet: Kush dreqin është superfuqia këtu?
Në vitin 2015, Netanyahu shkoi në Uashington për të nxitur Kongresin që drejtohej nga Republikanët që të refuzonain politikat e Obamës në Iran. U desh një kohë jashtëzakonisht e gjatë që Shtëpia e Bardhë të pranonte se interesat e SHBA-së dhe Izraelit në Gaza nuk janë në një linjë në thelb. Kërkesat amerikane janë, nga perspektiva e saj, të thjeshta. Ajo miratoi eliminimin e Hamasit si forcë politike dhe ushtarake, por donte që kjo të bëhej në mënyrë kirurgjikale, diçka që ushtria izraelite tha se është e pamundur. Amerika kërkonte një kuptim të qartë se siguria e ardhshme e Izraelit vjen vetëm nëpërmjet edukimit të partnerit palestinez për paqen dhe kjo kërkon një plan të detajuar, diçka që Netanyahu e ka shmangur nga frika se do të ndante koalicionin e tij.
Për të gjitha rastet kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në takimet e tij të shumta në rajon, se mënyra si Izraeli i kryente operacionet ka rëndësi, ngjarjet në Gaza dukej se konfirmonin se Izraeli ndihej më pak i kufizuar nga opinioni botëror sesa SHBA-ja. Padurimi në rritje i Biden me Netanyahu-n dhe bisedat e sinqerta private që zhvilluan dy liderët nisën të shfaqeshin në shtypin amerikan që në Nëntor. Sa më shumë të shfaqeshin këto histori dhe sa më pak imponim të pasojave mbi Izraelin aq më të dobët e nxjerrin Biden, diçka që nuk i shkon për shtat teksa ndodhet në një vit zgjedhor.
“Nënteksti i të gjithë fushatës republikane është se bota është jashtë kontrollit dhe Biden nuk është në komandë. Ky është argumenti bazë republikan”, tha David Axelrod, strategu i kohës së Obamës.
Sa i përket Netanyahu-t kritikat kanë shpërthyer kur udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer, e përshkroi atë si një pengesë të madhe për paqen në Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për zgjedhje për ta zëvendësuar kur të mbaronte lufta. Në fjalimin e tij, ai tha se “mund ta duash dhe të ndjesh fort për Izraelin edhe nëse nuk pajtohesh plotësisht me Bibi Netanyahu-n dhe politikat e Izraelit”.
Kjo pasqyron ndryshimin e thellë në të menduarit brenda Partisë Demokratike.
“Pjesa më e madhe e asaj që tha Schumer, do të kishte qenë në mënyrë të paimagjunueshme radikale në foltoren e Senatit 10 vjet më parë. Sot ajo përfaqëson skajin e djathtë të partisë”, tha Matt Duss, një ish-këshilltar i senatorit Bernie Sanders.
U deshën vdekjet e gjashtë punonjësve humanitarë që Biden të përdorte fuqinë që kishte në dispozicion dhe t’i thoshte Netanyahu-t se duhet të kthehej mbrapsht nga rruga qorre diplomatike që ka marrë vendi i tij ose përndryshe do të humbë mbështetjen amerikane. Ka, siç duhej në fakt gjatë gjithë kohës, vetëm një superfuqi në këtë marrëdhënie. Izraeli ndihet i mërzitur për humbjen e mbështetjes publike dhe mendon se bota e ka harruar nevojën për të luftuar terrorizmin. Një ish-zëdhënës i qeverisë izraelite, Eylon Levy, është ankuar për organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare për të cilat tha se “janë rrëmbyer nga axhenda palestineze”.

“OBSH nuk mund të dënojë militarizimin e spitaleve nga Hamasi. Kryqi i Kuq nuk mund të dënojë Hamasin për rrëmbimin e kamionëve me ndihma dhe Unrwa mbulon në mënyrë aktive vjedhjen e ndihmave nga Hamasi”, tha ai.
Shumica e izraelitëve nuk e pëlqejnë Netanyahu-n, por jo për taktikat për të shtypur Hamasin.
“Ne jetojmë ende më 7 Tetor. Në media nuk ka asgjë tjetër përveçse Gazës. Që nga 7 Tetori nuk ka pasur asnjë intervistë të vetme nga Gaza. Nuk është censurë shtetërore, është autocensurë. Ne ushqehemi nga kanalet televizive dhe gazetat që censurojnë dhe bllokojnë informacionin nga ne, si për ngjarjet në Gaza, ashtu edhe për mënyrën tonë të luftimit atje”, tha Michael Sfard, një avokat izraelit për të drejtat e njeriut.
“Tmerri që i shkaktuam Gazës nuk mund të justifikohet me tmerret e Hamasit. Numri i fëmijëve që kemi vrarë dhe shkalla e shkatërrimit nuk kanë asnjë shpjegim tjetër përveç hakmarrjes”, shtoi ai.
Gjashtë muaj pas nisjes së luftës, rezultati është i paqartë. Hamasi ende mundet të mposhtet dhe të sigurohet një normalizim i marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit. Ndërkohë siç shpreson edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kjo mund të jetë ende një pikë kthese për të mësuar nga gabimet e një dështimi kolektiv duke vendosur një shtet ligjor, institucione më të forta shumëpalëshe dhe marrëdhënie më të qarta pushteti. Të bllokuar në Gaza, gjithçka është në ekuilibër.
*Shkrim nga gazetari britanik Patrik Wintour për The Guardian
*Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al