“Kundërshtuan policinë, por nuk u dhunuan”

Për Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, zbatimi i vendimit të Gjykatës së Posaçme, në funksion të hetimeve të SPAK, është i padiskutueshëm dhe nga kjo nuk përjashtohet as kampi i muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

“Vendimet e gjykatës janë për t’u zbatuar, as për t’u komentuar, e jo më për t’u kundërshtuar. Pra është një fyerje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes që ne kemi bërë me ta”.

Çuçi tha se ishte i indinjuar nga sjellja e anëtarëve të MEK, por nënvizoi se mbajtja e tyre nuk është në diskutim.

“Nuk kemi menduar për prishje marrëveshje, marrëveshja vazhdon. Ata janë për qëllime humanitare, ne sigurisht do t’i mbrojmë. Por presim dhe reagimin e tyre, që ata të sillen brenda marrëveshjes që ata vetë kanë pranuar, që e kanë nënshkruar vetë”.

Mohoi kategorikisht që personi që ka humbur jetën të jetë për shkak të operacionit të policisë.

“Ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Ne po presim ekspertizën mjeko-ligjore”.

Në krah të ministrit, kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku tha se ata ishin gjendur nën sulmin e anëtarëve të MEK dhe jo e kundërta.

“Nga gjithë kjo përballje, policia mbeti viktimë e dhunës së tyre dhe jo rezidentët. 15 punonjës policie, si dhe janë dëmtuar disa mjete policore. Nga ana e tyre janë dëmtuar gjithsej 21 shtetas”.

Rrumbullaku tregoi gjithashtu se çfarë u gjet në kampin e MEK.

“96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karta memorie, dhe materiale shkresore të bollshme, të cilat u tentuan të asgjësoheshin me djegie nga disa anëtarë të MEK”.

Kreu i Policisë së Shtetit tha se janë identifikuar personat që kundërshtuan policinë dhe ata do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Tv Klan