Dy javë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit që mori jetën e 51 qytetarëve, Ministri Bledi Çuçi në cilësinë e drejtuesit qëndror të Operacionit për menaxhimin e fatkeqësisë natyrore ka bërë bilancin e dëmeve. 14 mijë e 69 objekte rezultojnë të inspektuara nga ekspertë e inxhinierë vendas e të huaj në zonat e prekura nga tërmeti.

Krahas pallateve të dëmtuara janë edhe shkolla, ku sipas një vlerësimi paraprak dëmi përllogaritet në 3.5 miliardë lekë. Për familjet e prekura nga tërmeti zgjidhja afatmesme deri në maj të vitit 2021 është dhënia e bonusit të qerasë. Ndonëse qeveria nuk ka ende një faturë në total të dëmit financiar, në dispozicion për zbatimin e programit të rindërtimit deri më sot janë në dispozicion 20 miliard lekë.

Për t’u ardhur në ndihmë të prekurve qeveria synon rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar.

Do të jenë disa lagje të reja që do të ndërtohen në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Laç për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti. Gjithashtu do të ndërtohen dhe shkolla qendra shëndetësore si dhe shtëpi ekologjike për tu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Tv Klan