Një konflikt i nisur për shezlongët në plazh që përfundoi me 4 viktima. Ky bilanc tragjik në Velipojë, shtuar këtu edhe aksidentin e rëndë me 4 viktima në autostradën Vlorë-Fier 3 ditë më parë, detyruan ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçin që të dilte në një konferencë për mediat, ku paralajmëroi ndryshime të thella në Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi një fazë të re reforme dhe force parandalimi në Policinë e Shtetit. Pas ngjarjeve kriminale që tronditën vendin ditët e fundit, Çuçi tha se do të ketë një ndryshim të thellë titullarësh në rang qarku dhe më pas do të shtrihet në të gjitha komisariatet e vendit.

Po ashtu do të krijohen praktika të reja për të hetuar të ardhurat e drejtuesve të makinave luksoze që kapen në mënyrë të përsëritur në mënyrë të paligjshme në qarkullimin rrugor.

“Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e efektivëve të qarkullimit me kamera trupi”.

Çuçi paralajmëroi edhe përdorimin e dronëve superinteligjentë dhe kamerave që sipas tij do të rrisin sigurinë rrugore gjatë mandatit të tretë qeverisës.

Çuçi: Policia arreston persona të rrezikshëm, gjykata i liron

Policia ndalon, por nuk dënon. Këtë duhet ta bëjë Gjykata sipas ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili këtë të hënë solli në vëmendje 3 raste ku sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët kanë dhënë masa lehtësuese për të pandehur që janë kapur në shkelje të ligjit duke i liruar. Çuçi i bëri thirrje ILD-së që të reagojë ndaj këtyre rasteve.

“Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA. Mjafton t’ju marrë një shembull: Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe  prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie. Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë”, tha Çuçi.

Garda e mori në mbrojtje, Çuçi: Kërkesa erdhi nga vetë Soreca

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, Garda e Republikës mori në ruajtje javën e shkuar Ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Në konferencën për shtyp të kësaj të hëne, i pyetur nga gazetarët për arsyet, Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi tha se kjo kishte qenë kërkesë e vetë sigurisë së ambasadorit të BE.

“Në lidhje me vendimin e qeverisë në bazë të ligjit të ri të Gardën së Republikës qeveria ka të drejtën të caktojë mbrojtje të posaçme edhe për personalitete të tjera kur e sheh të arsyeshme. Në rastin konkret ka qenë një kërkesë nga siguria e zotit Soreca dhe në bazë të kësaj kërkesë morëm një vendim për të shtuar nivelin e sigurisë. Pse ka ardhur kjo mund të pyesni në kabinetin e zotit Soreca”.

Çuçi: Nuk ka arsye për ngritjen e xhandamërisë. Vendet që e kanë po e shkrijnë

I pyetur nga gazetarët për projekt-idenë e ngritur nga Kryeministri Edi Rama në vitin 2018 për xhandarmërinë, nëse është sot koha për krijimin e kësaj strukture, Ministri Çuçi tha:

“Sa i takon strukturimit të policisë për të shtuar edhe xhandarmërinë, këto janë diskutime, nuk ka një projekt konkret sepse ende nuk shihet një arsye e fortë që të fusim një strukturë të re ekstra kur ndërkohë edhe vende që e kanë këtë strukturë po tashmë po e shkrijnë brenda policisë të shtetit. ju kujtoj këtu rastin e Turqisë që është një rastet më përfaqësues të pasjes së dy trupave polici dhe xhandarmëri dhe vetë Turqia tashmë e ka përfshirë në strukturën e policisë, edhe xhandarmërinë, sigurisht duke i dhënë kompetenca kryesisht territorial jo lëndore, në mënyrë që ta ruajë këtë dualitet xhandarmëri-polici”.

Situata e plehrave në Durrës merr zgjidhje këto dy ditë

Blendi Çuçi foli edhe për situatën e plehrave në qytetin e Durrësit. Ai tha se është gjetur një zgjidhje për t’i çuar mbeturinat diku tjetër dhe situata sipas tij do të marrë zgjidhje brenda dy ditëve.

“Në lidhje me çështjen e depozitimit të mbeturinave, është një problem që ka ekzistuar edhe më parë dhe agravohet vazhdimisht sidomos për zonën e Durrësit derisa të bëhet një landfill model edhe aty. Unë e kam ndjekur situatën edhe me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, është gjetur një zgjidhje për t’i çuar diku tjetër, gjithë këto pjesën e mbeturinave të Durrësit dhe besoj se do marrë një zgjidhje të shpejtë, këto dy ditë besoj se është zhbllokuar si situatë, se ku do të depozitohen dhe mbeturinat e Durrësit. Por duhet të dini kjo është një përgjegjësi përtej Ministrit të Brendshëm. Është një përgjegjësi që fillon tek pushteti vendor, është përgjegjësi kontraktuale e pushtetit vendor me kompaninë që ofron shërbimin në raste të tilla, është një përgjegjësi rregullatore…etj. Si Ministër i Brendshëm unë kam lehtësuar qarkullimin e mjeteve të rënda përtej qarkut të Durrësit për të çuar këto mbeturina në mënyrë provizore që të mos kemi atë akumulim të plehrave.

Gjoba automatike dhe dronë super inteligjentë, Çuçi: Plani për parandalimin e aksidenteve

Sa i përket aksidenteve rrugore, ministri Çuçi tha se do të shtohet siguria rrugore gjatë mandatit të tretë përmes teknologjisë.

Gjatë konferencës për shtyp, Çuçi tha se, “Kudo ka aksidente me vdekje në të gjithë botën. E para, pse në verë, kjo besoj është e kuptueshme sepse rritet si të thuash mundësia për të bërë aksident sepse rritet qarkullimi si pasojë e ardhjes së turistëve dhe sidomos i kthimit për pushime e emigrantëve që jetojnë jashtë vendit. Nga pikëpamja statistikore duke u rritur numri i makinave rritet edhe mundësi për të pasur aksidentet. Nuk janë statistikat e mia, janë të shtetit shqiptar, i keni të publikuara, janë të publikuara sipas viteve duke parë trendin gjithmonë në ulje të aksidenteve. Nuk parandalohet, nuk luftohet me polic pas çdo makine. Do teknologji, prandaj ju thashë që në mandatin e tretë ne kemi një plan shumë të qartë për të instaluar teknologjinë për kontrollin e territorit ku futet edhe qarkullimi rrugor, qoftë me kamera që do të monitorojnë 24 orë dhe në mënyrë automatike do të gjenerojnë gjoba duke lexuar targat e makinave, pa ndaluar dhe pa parë jam çuni këtij, apo vajza e tij, ministri filan apo jo, por në mënyrë automatike skanohet targa i shkon gjoba automatikisht personit për shkelje të qarkullimit rrugor. Pra monitorimin me kamera dhe me dron pastaj që do të jetë 24 orë, dronë super inteligjentë që do të monitorojnë gjithë territorin e Shqipërisë, jo vetëm për qarkullimin…”

Aksidentet rrugore, Çuçi: Nuk kam përgjegjësi morale

Ministri Çuçi u shpreh këtë të hënë se nuk ka asnjë përgjegjësi morale dhe penale për aksidentet rrugore që ndodhin në Shqipëri.

“Në lidhje me përgjegjësinë morale, ju thashë, përgjegjësia është e para njëherë si njeri do doja të mos kishte asnjë vrasje, të mos kishte asnjë aksident, por kjo është utopi. Nuk ka ndodhur as edhe në komunizëm. Edhe kur kishim pak mjete nuk ka ndodhur të mos kishte aksidente. Për t’u bërë shofer në kohën e komunizmit duhet të bëjë 9 muaj kurs saç marrin sot diplomën për universitet dhe prapë kishte aksident me pasojë vdekjen, këto janë gjëra që ndodhin kështu që unë nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë që është e “zakonshme”, jo në kuptimin negativ të fjalës në rastin konkret. E zakonshme meqë ndodh pavarësisht nga ne. Ndaj nuk ndjej përgjegjësi penale. Madje sigurisht do të më vinte shumë mirë që këto statistike dhe trende të aksidenteve rrugore unë ta ruaja. Dhe kjo është si të thuash llogaridhënia e ime me publikun që në fund të mandatit tim këtë trend ta kisha në ulje, ashtu siç ka ardhur në ulje. Por jo gjithmonë varen nga Ministri të gjitha gjërat”, u shpreh ai.

Duke marrë shkas edhe nga vrasja në Velipojë për shezlongët, Çuçi u shpreh se për krimet banale përgjegjësia është më e gjërë. Këtu sipas tij edhe policia ka rolin e saj, por edhe institucionet e tjera, duke përfshirë edhe ato të drejtësisë.

“Këtu, sidomos për krime banale si ajo që ndodhi në Velipojë, përgjegjësia është shumë më e gjerë, ka një shtat më të gjerë. Padiskutim që është përgjegjësi edhe e policisë. Secili ka përgjegjësitë e veta. Unë nxora nga protokolli im rastet më të fundit të muajit të fundit në lidhje me një çështje sensibël që ka dalë në opinion publik këto dy ditë që është armëmbajtja pa leje. Padiskutim njeriun e parë që duhet të shohin për t’u ngjallur siguri është polici i shtetit. Unë sqarova pozicionin e policisë së Shtetit. Nuk mund ta bëjë e vetme “çarmatosjen” e shqiptarëve të armatosur brutalisht në ’97. Është një gjë që duhet të kontribuojmë të gjithë. Gjyqësori ka një rol të jashtëzakonshëm në këto momente”, tha Çuçi.

Shezlongët që vranë 4 vetë, Çuçi: Nuk ka pasur denoncime për kërcënime

Kreu i Ministrisë së Brendshme u pyet më konkretisht nga gazetarët në lidhje me ngjarjen e Velipojës nëse ka pasur një denoncim më parë nga një prej familjeve të përfshira në konflikt. Së pari, Çuçi u shpreh se policia nuk jep leje për ndarjen e plazheve.

Ai u shpreh se Policia vetëm kontrollon ligjshmërinë. Sipas tij, përgjegjësia fillon që nga pushteti vendor. Për rastin konkret, Çuçi u shpreh se nuk ka pasur denoncim për kërcënim. Megjithatë ai u shpreh se mund të ketë pasur ankesa, për arsyet se pse shezlongët i kanë kaluar një pale.

“Jua thashë edhe në deklaratë, policia nuk jep leje për shezlongë, nuk administron territorin, si do ndahen plazhet. Ne kontrollojmë ligjshmërinë. Në dijeninë time problemi konkret ka qenë është i lidhur me faktin që kush e ka pasur më përpara, kush e ka sot dhe kush do e ketë nesër. Këto janë gjëra që këtu duhet të hyjnë të gjitha institucionet që merren me dhënien e lejes duke filluar që nga pushteti vendor që ka edhe detyrimin për të administruar territorin në raste të tilla, siç ka detyrimin për të denoncuar çdo ndërtim pa leje në territorin e saj etj. Në rastin konkret nuk është policia që jep leje. Në rastin konkret Nuk ka pasur një denoncim. E them me një kometencë të plotë. Në rastin konkret të këtyre dyve jo. Mund të ketë pasur një ankim pse ia keni dhënë këtë shezlong pse ia keni dhënë dikujt. Nuk është policia që e jep këtë leje. Nuk ka pasur një denoncim që janë kërcënuar për shkak të kësaj gjëje”, tha Çuçi.

Sa i përket armëmbajtjes pa leje, Çuçi tha se policia nuk mund të hyjë në çdo shtëpi shqiptari. “Përveçse utopi ta mendosh, edhe e pamundur ta realizosh”, tha Çuçi.

Ministër në qeverinë “Rama 3”? Çuçi: Do kemi raste edhe pas Shtatorit…

Ministri Bledi Çuçi la të hapur mundësinë se do të jetë në qeverinë e ardhshme të Ramës. Gjatë një konferencë që pati për mediat të hënën pas ngjarjeve kriminale në vend, në fund, Çuçi u shpreh se do të ketë raste prapë për konferenca për mediat edhe pas Shtatorit, kohë kur hyn në fuqi Kuvendi i ri pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Faleminderit se po hapa radhën do bëhen shumë. Do kemi raste prapë, edhe pas Shtatorit meqë e kishe merak pjesën”, tha Çuçi duke qeshur.

Çuçi e mori detyrën e ministrit të Brendshëm në Dhjetor të vitit 2020, pas protestave për vrasjen e Klodian Rashës, ku paraardhësi i tij, Sandër Leshaj dha dorëheqjen./tvklan.al