Ministri i Brendshëm u është drejtuar me një letër-kërkesë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe dijeni ministres së Drejtësisë, ku shpreh shqetësimin në lidhje me disa vendime të dhëna nga z. Elidon Papazisi, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër, të cilat janë bërë shkak që të pengohet aksioni i IKMT dhe Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit kundër ndërtimeve të paligjshme “Bregdeti ynë”.

Në letrën e ministrit Çuçi thuhet se gjatë ditëve të fundit është evidentuar emri i gjyqtarit, i cili kanë dhënë vendime të atilla, që në analizën dhe vlerësimin e strukturave te Ministrisë së Brendshme janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe në thyerje të ligjit.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka pranuar pjesërisht kërkesën e paditësit për marrjen e masës së sigurimit të padisë pa u thelluar në arsyetimin e saj dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur kundërvajtjes së ndërtimit pa leje, duke pezulluar në këtë rast prishjen e një ndërtimi të kundërligjshëm”, nënvizohet në letrën e ministrit Çuçi, për një nga vendimet.

Ministri i Brendshëm u kërkon autoriteteve të gjyqësorit të marrin në shqyrtim dhe inspektojnë bazueshmërinë në ligj të vendimeve të gjyqtarit. /tvklan.al