Një kirurg vendosi që të festonte duke kërcyer operacionin e suksesshëm të heqjes së 25 kilogramëve tumor nga trupi i një gruaje.

Dr.Dmitry Aryutin, kreu i Klinikës Spitalore në Moskë të Rusisë, udhëhoqi grupin e mjekëve në një operacion për heqjen e tumorit ovarian nga një paciente 59-vjeçare.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja Mirror, pacientja ishte ankuar për dhimbje të rënda dhe kishte probleme në frymëmarrje, në kohën kur kishte ardhur në spital.

Mjekët arritën që ta stabilizonin pacienten për një ekzaminim dhe zbuluan një tumor beninj me peshë 25 kilogramë.

Ajo u fut menjëherë në sallë të operacionit.

Në një video të postuar në faqen e Facebook të spitalit, pacientja mund të shihet teksa qëndron e shtrirë mbi tavolinën e operacionit. Mjeku Aryutin ngre lart masën ndërkohë që ndihmësi e pret me gërshërët kirurgjikale.

Ai e hedh më pas në një kosh, përpara se të bëjë një kërcim fitoreje për kryerjen me sukses të operacionit.

Pensionistja aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të mirë shëndetësore./tvklan.al