Kristaq Thimjo ishte larguar nga detyra si Inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve në Gjirokastër, pasi akuzohej se i kishte shkaktuar institucionit një dëm ekonomik prej 6 milonë lekësh të vjetra. Por së fundmi, Thimjo rezulton të jetë kthyer në detyrë, edhe pse gjyqi ndaj tij nuk ka përfunduar. Si të mos mjaftonte kjo, rikthimi në detyrë i Kristaq Thimjos ka ardhur me firmën e Ergys Agasit, drejtor i Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit, më datë 14 Shtator, një ditë pasi Agasi është liruar vetë nga posti.

Më datë 10.04.2017, Drejtoria Rajonale e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Gjirokastër ka shkarkuar nga puna kryeinspektorin Kristaq Thimjo dhe e ka paditur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me akuzën se ka shkaktuar një dëm ekonomik institucionit me vlerën prej 652.644 lekësh.

Në redaksinë e emisionit “STOP” kanë ardhur informacion se kryeinspektori Thimjo është rikthyer në punë, ndaj gazetari i drejtohet I.SH.M.P-së në Gjirokastër.

Financieri i I.SH.M.P –

Nuk e di, drejtori është … për momentin s’jam tha, jam sëmurë.

Gazetari –  Tashi, një herë na doli kam një problem, një herë sëmurë?!

Financieri i I.SH.M.P –

Mos më shqetësoni! Jam i sëmurë, tha …

Gazetari – Na ndihmon dot me ndonjë numër, ndonjë kontakt?

Financieri i I.SH.M.P –

Nuk të ndihmoj dot me asnjë gjë për momentin. Jam duke punuar.

Gazetari – Ku ta gjejmë zotin Kristaq?

Financieri i I.SH.M.P –

Nuk vjen sot, është sëmurë, është me raport.

Gazetari – Ka marrë raport?

Financieri i I.SH.M.P

Po!

Gazetari – Ku e ka dorëzuar raportin?

Financieri i I.SH.M.P –

Është … në këto momente po merr raportin.

Pavarësisht kësaj, gazetari mundi ta siguronte vetë numrin e kontaktit të kryeinspektorit të I.SH.M.P, Kristaq Thimjos, por ai refuzoi komunikimin, me pretendimin që është sëmurë.

Gazetari – Gazetari i emisionit “Stop” ju shqetëson, Genci Angjellari.

Drejtori Kristaq Thimjo

Po!

Gazetari – Si kaluat? Jam këtu tek zyra juaj, por ju nuk jeni. Doja t’ju takoja, t’ju pyesja për diçka.

Drejtori Kristaq Thimjo –

Shiko! Unë kam një muaj e gjysmë me raport. Jo me raport, jam i sëmurë edhe…

Gazetari – Po ne të pamë qëparë, ishe këtu. Na thanë edhe këta çunat, që sapo ike.

Drejtori Kristaq Thimjo –

Jo, jo! Nuk kam qenë aty. Mund të vij atje dhe iki … s’ka mos ka ndonjë problem të iki, jam sëmurë?

Gazetari – Të shkuara, të shkuara! Nuk të marr shumë kohë, thjesht do të pyesja.

Drejtori Kristaq Thimjo

Doni raportin?  Po doni, t’ju jap raportin, ju jap raportin.

Gazetari – Ok! Po ku mund ta marrim raportin? Të takojmë vetë?

Drejtori Kristaq Thimjo –

Raportin do ta marrësh tek zyrat… eee në Tiranë, e kam nisur në Tiranë tek Spitali Qendror.

Gazetari – Z. Thimjo 2 minuta kohë, nuk të shqetësoj dhe nuk të marr …

Drejtori Kristaq Thimjo –

Nuk shqetësohem, jam shqetësuar boll. Faleminderit!

Gazetari – Z.Thimjo, alo!

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër vendosi pranimin pjesërisht të padisë, duke detyruar të paditurin Thimjo t’i paguajë paditësit shumën prej 3 mijë lekësh të reja, që i korrespondon vlerës së sendit “USB”, të cilën kishte harruar ta dorëzonte kur është shkarkuar.

Gazetari i është drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjirokastër, për të pyetur se si po shkon çështja e Kristaq Thimjos.

Kancelarja –

Ka bërë njëherë kërkesë për avokat. Është normale që të përfaqësohet me avokat.

Është kryer akt – ekspertimi, ndoshta nuk kanë qënë shumë të qartë. Kështu që…

Gazetari – Ok! Po e ndjekim hap pas hapi.

Kancelarja –

Edhe si kohë nuk ka ndonjë vonesë kushedi se çfarë.

Gazetari i emisionit “STOP” mundi të siguronte dy dokumente kontradiktore me njëra – tjetrën. Më datë 13.09.2017 Ergys Agasi është liruar nga detyra e kryeinspektorit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, në Nivel Qendror.

Por në dokumentin tjetër thuhet se një ditë më pas, më datë 14.09.2017, ai ka rikthyer në punë Kristaq Thimjon, në detyrën e kryeinspektorit pranë I.SH.M.P-së Dega Rajonale Gjirokastër, edhe pse çështja e tij vazhdon të jetë e hapur në gjykatë./

tvklan.al