Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, e vlerëson shumë shqetësuese kurajon e krimit për të goditur median, duke u ndalur tek sulmi me armë i së hënës ndaj Top Channel.

“Në diskutim (në studio) u fol për mungesën e sigurisë. Mungesa e sigurisë në vend është njëra anë e problemit. Problemi tjetër është sulmi ndaj medias. Sepse kurajo e krimit për të goditur në nga mediat më të mëdha në vend, pa asnjë problem, pra në një mënyrë fare të thjeshtë, është shumë shqetësuese. Dhe nuk janë 3 njerëz në kokainë, të eksituar të cilët bëjnë një veprim të pamenduar. Jo, është e organizuar. Por dua të them ç’është kjo kurajo për të goditur median? Sepse pas medias mbeten të shkojnë të qëllojnë me plumba o ministrinë e rendit ose kryeministrinë. Edhe në Meksikë, që është një vend me mungesë totale sigurie, nuk para kam dëgjuar goditje mediash. Gazetarësh po, por jo të shkosh të godasësh një media, një institucion është një kurajo shumë e madhe. Dhe kjo në gjykimin tim vjen sepse ne kemi prej kohësh një retorikë politike që deligjitimon median”.

Cukali tha se vetëm vitin e shkuar janë raportuar rreth 19 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe asnjë prej këtyre rasteve nuk është zbardhur.

“Ne po shqetësohemi shumë, sepse është për t’u shqetësuar rasti i fundit. Po nuk ka ardhur kot ky rast. Vetëm vitin e kaluar ne kemi të raportuara 19 sulme ndaj gazetarëve dhe asnjë nuk është gjetur dhe askush nuk është kapur. Pa folur për kërcënime të pafundme që u shkojnë gazetarëve në rrjetet sociale dhe gazetarët vetë e dinë që nuk ka më kuptim as t’i denoncojnë sepse askush nuk ka për t’i zgjidhur. Kështu që kjo mungesa e vullnetit është e perceptuar nga krimi”./tvklan.al