Presidenti Ilir Meta ka thirrur një manifestim popullor më 2 Mars, ditë në të cilën ka vendosur që të firmosë një dekret, por pa e bërë publik se për çfarë bëhet fjalë.

Analisti dhe politologu Arjan Curi bëri një analogji me rastin e Presidentit rumun, të cilin Meta e ka përmendur më parë për mbrojtjen e Kushtetutës, duke bërë kështu një parashikim se çfarë mund të ndodhë të hënën.

Curi u shpreh gjatë emisionit “Zonë e Lirë” se Presidenti Meta mund të firmosë të hënën një dekret që do të çojë në nisjen e një referendumi të madh.

“Duke marrë për analogji se parashikimet unë nuk i bëj… se thonë ca është bërë Curi fallxhor. Parashikimet bëhen në bazë të analogjisë. Nëse ndjekim analogjinë e Presidentit rumun, Meta do të dekretojë shpalljen apo fillimin e një referendumi të madh mbarëpopullor, ku do të ngrihen pyetje të caktuara ku do të përfshihen ndryshime të mëdha kushtetuese dhe populli ka të drejtë ta bëjë atë masivishit, sa i përket zgjedhjes së Presidentit nga populli ose jo, se këtu është edhe forca e Presidentit rumun. E para kjo.

Së dyti pyetjes së popullit, të njerëzve në referendum nëse janë apo nuk janë dakord me abrogimet që i bën Kushtetutës mazhoranca me ligje që janë poshtë Kushtetutës. Sigurisht nëse Presidenti e dekreton këtë referendum, sigurisht ai mund të bëjë edhe ndonjë pyetje tjetër, që e mendon se mund ta bëjë, dhe në qoftë se ky referendum arrin të kalojë në votim popullor, se në Rumani u luftua nga partia në pushtet”, tha Curi.

Për ta realizuar këtë duhen 50 mijë firma, që sipas Curit, Presidenti Meta i arrin lehtë dhe pastaj ndiqet nga një procedurë e vështirë.

“Nëse kjo kalon unë mendoj se është një gjetje e shkëlqyer në bazë të etalogjisë rumune dhe Presidenti e ka të fituar nëse referendumi funksionon”, tha Curi./tvklan.al