Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se nuk duhet të pritet që samiti i Berlinit të ketë karakter historik për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, sipas tij, Samiti mund të jetë i mirë vetëm nëse Prishtina detyrohet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

“Nëse nuk bëhet presion mbi Prishtinën, vështirë se mund të priten përparime spektakolare në lidhje me vazhdimin e dialogut. Duke pasur parasysh pjesëmarrësit e takimit, nuk besoj se do të ketë presion ndaj Prishtinës, mendoj se do të ketë shumë fjalë, por pak rezultate konkrete”, ka thënë Daçiç.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin.

Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës] në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE./REL