Qëndrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi idenë e ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, për ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç nuk nënkuptojnë se ky është i vetmi opsion në tavolinë.

Duke folur gjatë një takimi me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova në Beograd, Daçiç shprehet se i rëndësishëm për Serbinë është fakti që edhe administrata e re amerikane mbështet zgjidhjen me dialog dhe jo me imponim.

“Është shumë herët për të folur nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e Beogradit për rishikimin e kufijve me shqiptarët, sepse jemi ende larg mundësisë për të arritur një marrëveshje për çështjen e Kosovës. E rëndësishme është që administrata e re amerikane nuk propozon zgjidhje, por krijon mundësi dialogu të drejtpërdrejtë mes Beogradit dhe Prishtinës për një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”.

Kryediplomati serb theksoi se vendi i tij ishte kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, derisa të zgjidhet me dialog çështja e statusit. Por rishikimi i kufijve shihet me skepticizëm nga një pjesë e  komunitetit serb në Kosovë. Për politikanin e moderuar Nenad Rashiç, ish-ministër i Punës, ky propozim nuk është realist.

“Nuk besoj se është realiste ndarja ose bashkëngjitja e Luginës së Preshevës. Thaçi po përdor teknikën e vjetër të negocimit. Ai kërkon të marrë maksimumin duke u shprehur se do të arrihet niveli i mesëm i marrëveshjes, ku asnjë palë nuk duhet t’i humbë të gjitha ose asnjë palë të mund t’i fitojë të gjitha”.

Rishikimin e kufijve, Rashiç e sheh si ndarje etnike që mund të rrezikojë sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Tv Klan