Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të mërkurën se taksa doganore që Kosova u ka vënë mallrave nga Serbia dhe Bosnja, është mesazh i Prishtinës për Bashkimin Evropian që t’iu miratojë qytetarëve kosovarë liberalizimin e vizave.

“Nuk kemi çfarë të ndërmarrim. Kjo është mënyra se si funksionon Prishtina”, tha Daçiç për gazetarët në Beograd.

Sipas tij, vendimi i Prishtinës është në kundërshtim me CEFTA-n – Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore – dhe në kundërshtim me idenë për një hapësirë të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të proklamuar nga komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

Daçiç tha se Serbia nuk ka asgjë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse, siç u shpreh, bëhet fjalë për “qytetarë të Serbisë”.

Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo masë nënkupton taksën prej 10% në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja./REL