Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheq, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Në një konferencë për media të enjten, Daka tha se kërcënimet publike ndaj saj dhe “shqetësimet që po i përjeton familja ime janë të paprecedente dhe të rrezikshme”.

Ajo nuk tregoi specifikisht se nga cila parti ka pranuar kërcënime dhe nuk pranoi pyetje lidhur me atë se kush po e kërcënon.

Këto deklarata të Dakës vijnë vetëm një ditë pasi KQZ-ja njoftoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku thuhej se 47 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk janë përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në bazë të këtij ligji kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit.

Daka tha se ajo do ta zbatojë këtë ligj dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar për rastin e deputetit Etem Arifi.

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidatë për deputetë, do t’u them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: është ligji, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”, tha Daka, duke shtuar se çdokush që mendon se i është bërë e padrejtë mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe në Gjykatën Supreme.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështetë asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Nënëkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë një emisioni në Tv Dukagjini, më 20 janar, deklaroi se moscertifikimi i 47 deputetëve, përfshirë këtu edhe kreun e partisë së tij, Albin Kurtin, po bëhet për eliminime politike dhe për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutuese.

“Personi i cili në KQZ po ndikon, që edhe kërkesa të jetë sugjestive e kundër Albin Kurtit është Valdete Daka”, tha Konjufca.

“Kurrgjë ata nuk po zbatojnë, ata po duan eliminim politik”, shtoi ai.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla reagoi të enjten, pas deklaratës së Dakës së ndihet e kërcënuar.

Ai tha se Daka duhet ta dijë se nuk është vitit 2020, kur president i Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe se “Kosova tash ka presidente të re, znj. Vjosa Osmani”. Ai po ashtu tha se Daka “nuk nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”.

KMDLNJ kërkon që policia të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar që të ndalen kërcënimet dhe sulmet ndaj KQZ-së dhe anëtarëve të saj, në “mënyrë që të mos pengohet puna e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve”.

“Presioni është krejtësisht i natyrës politike e që, për qëllim e ka nënshtrimin e KQZ-së ndaj subjekteve të caktuara politike”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Ky institucion ka kërkuar që Policia e Kosovës të hetojë kërcënimet ndaj KQZ-së dhe u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë vendimet e institucionet që organizon zgjedhjet.

“Subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme dhe të zbatojnë vendimet e KQZ-së, pasi t’i kenë shfrytëzuar rrugët ligjore dhe të mos lejojnë zbatim të standardeve të dyfishta. Pikërisht këta, me shembullin e tyre duhet të tregojnë se janë për ligjin, shtet të së drejtës dhe shtet ligjor pavarësisht forcës politike, përkatësisë partiake, etnike etj”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedheve ka thënë se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatitë rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten më pas në mbledhjen e KQZ-së. Vendimin për aprovim ose refuzim, KQZ-ja do ta marrë më së largu deri më 22 janar.

Subjektet politike apo kandidatët që nuk certifikohen mund të bëjnë ankesa deri më 31 janar, ka njoftuar KQZ-ja të mërkurën.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është nga 47 kandidatët që nuk do të mund të garojë si deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten komentoi njoftimin e KQZ-së, ku tha se ai është “bartës liste”.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, për pjesëmarrje kanë kandiduar 28 subjekte politike me 10,080 kandidatë për deputetë./REL