Kryebashkiakët socialistë që kanë konsumuar 3 mandate pritet të mos jenë më në listat e kandidatëve në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Ky kufizim i parashikuar në ligj pati pak kohë më parë interpretime të ndryshme, me eksponentë të Partisë Socialiste që deklaruan se ligji nuk kishte fuqi prapavepruese.

Por 5 muaj nga zgjedhjet, gjasat që Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe ai i Elbasanit, Qazim Sejdini të jenë sërish në garë, janë të pakta. Edhe pse nuk e pohon hapur, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, duket i tërhequr nga qëndrimi i prerë që kishte një vit më parë.

“Siç e përcakton Kodi, siç përcakton kriteret ligjore, ne nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë kurrë kundravajtje ligjore, të cilat dëmtojnë sadopak rrugën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por krahas përzgjedhjes së kandidatëve, forcat politike kanë prioritet edhe miratimin e Kodit Zgjedhor, një kërkesë kjo e vazhdueshme edhe e faktorit ndërkombëtar. Balla shpreh besimin se opozita do të kthehet në Komisionin e Posaçëm, nën presionin e Brukselit.

“PD unë di që ka marrë disa angazhime shumë të rëndësishme, brenda familjes së vet politike europiane, por edhe në komunikimet që ka me Parlamentin Europian në mënyrë të veçantë”.

Veç thirrjes për miratimin e Kodit, socialistët kërkojnë nga opozita dhe plotësimin e 2 vakancave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tv Klan