PS: Pro identifikimit biometrik. PD: Zgjidhet shitblerja e votës

Maxhoranca ka dhënë parimisht dakordësinë për propozimin e opozitës në lidhje me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Në draftin e prezantuar në tryezën e Reformës Elektorale, opozita kërkon krahas identifikimit biometrik në të gjithë vendin, edhe votim e numërim elektronik.

Por socialistët kanë pranuar shtrirjen në të gjitha qendrat e votimit vetëm të identifikimit biometrik, ndërsa votimi e numërimi elektronik të jenë projekte pilot.

Futja e teknologjisë në zgjedhje, sipas opozitës, shmang një ndër problemet më serioze të konstatuara në raportet e OSBE/ODIHR-it; atë të shitblerjes së votave. Por a do të mundën palët të finalizojnë brenda datës 15 Mars mbylljen e Reformës Elektorale?

Në tryezën e Reformës Zgjedhore palët gjetën dakordësi edhe për propozimin e bërë nga bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës, Rudina Hajdari, për pastërtinë e figurës së kandidatëve që do të garojnë në zgjedhje. Në mbledhjen e radhës pritet që opozita, krahas propozimeve të saj për financimet e partive, të sjellë edhe atë për ndryshimin e sistemit, një çështje e kërkuar me forcë nga aleatët e saj.

Tv Klan