Selia e Shenjtë ka publikuar detaje të reja nga organizimet që po bëhen për ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Papa Françeskut të shtunën.

Zhvendosja e arkëmortit nga bazilika e Shën Pjetrit drejt asaj të Santa Maria Maxhores do të bëhet me shpejtësinë e lëvizjes së njerëzve. Synohet që gjatë rrugëtimit rreth 5 kilometra, t’u jepet mundësi edhe pjesëmarrësve të tjerë t’i japin Papa Françeskut, lamtumirën e fundit.

Në ceremoni, një vend të rëndësishëm mes pjesëmarrësve të rangjeve të larta do të kenë edhe grupe refugjatësh e emigrantësh ilegalë dhe të varfërit, kanë qenë prioritet i Papatit të Françeskut. Selia e Shenjtë ka menduar që këta të fundit ta presin trupin e Horge Bergolios në bazilikën Santa Maria Maxhore, ku edhe do të varroset.

Veç trupave të policisë e ushtrisë, në Romë do të aktivizohen të shtunën edhe sisteme kundër dronëve dhe raketave, si pjesë e masave në rritje të sigurisë, ditën kur në këtë qytet do të jenë udhëheqës nga e gjithë bota përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Trump dhe bashkëshorten e tij.

Zyra e Protokollit të Sekretariatit të Shtetit të Vatikanit raporton se për momentin janë konfirmuar 130 delegacione për funeralin nga të cilët afërsisht 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë.

Mediat italiane kane zbuluar pamjet e Varrit ku do te prehet Papa, i përbërë prej mermeri ligurian dhe do të ketë mbishkrimin Franciskus. Varri i Papa Françeskut do të jetë i vizitueshëm që të nesërmen pas varrimit, më 27 Prill.

Tv Klan