Marius Dema i drejtoi pistoletën në kokë shokut të tij

Shakatë me armën e mbushur i kushtuan jetën të riut Mehmet Qema në Tiranë. Pikërisht në mjediset e jashtme të këtij lokali në rrugën “5 Maji” në kryeqytet mbeti i vrarë mbremjen e së hënës 27-vjeçari Mehmet Qema. Ai ndodhej në shoqërinë e shokëve të tij kur njeri prej tyre e qëlloi aksidentalisht 27-vjeçarin.

Filmimet e kamerave të sigurisë mbi tavolinën ku ishin ulur autori i vrasjes Marius Dema dhe miqtë e tij, mes të cilëve edhe Mehmet Qema tregojnë lojën që i mori jetën 27-vjeçarit mesnatën e kaluar.

Në këtë video duket Marius Dema që afrohet me pistoletë në dorë dhe ia drejton në kokë shokut të tij duke qeshur. Nga lëvizjet e viktimës duket që ky tenton të mbrohet dhe paralajmëron Demën për rrezikun, por sërish loja vazhdon.

I përlotur Dema ka treguar para uniformave blu se nuk e dinte që arma ishte e mbushur, dhe se gjithçka ndodhi aksidentalisht. Pas dëshmisë dhe pamjeve filmike edhe policia e ndryshoi veprën penale nga “vrasje me dashje”, në “vrasje nga pakujdesia”.

Siç duket edhe në këtë foto, Mehmeti dhe Mariusi ishin shokë me njëri-tjetrin, por shakatë me armën e mbushur sollën fundin tragjik.

Fillimisht Qema u plagos rëndë me armë dhe u dërgua ne spital, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra. Policia ka shpallur në kërkim Erlind Pekën, Bralid Agën, Blerim Hotin e Xhuljano Koçin, për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Po ashtu në vendin e ngjarjes një grup nga krimi ekonomiko – financiar zbuloi një makineri që prodhon monedhën viruale Bitcoin.

Tv Klan