“Anëtarësia foli pro Belind Këlliçit”
Mjeku Ilir Alimehmeti është tërhequr nga gara brenda Partisë Demokratike në primaret për zgjedhjen e kandidatit që do përfaqësoje opozitën në 14 Maj në Tiranë. Në krah të rivalit të tij Belind Këlliçi, Alimehmeti tha se anëtarësia dha pëlqimin e saj që në raundin e parë.
Ndërsa deputeti demokrat Belind Këlliçi tha se do ta ketë Alimehmetin në stafin e tij pasi të fitojë bashkinë e kryeqytetit.
Në garën e primareve për Tiranën ishin 7 kandidatë. Belind Këlliçi mori 4040 vota, kundrejt 2196 votave që siguroi Alimehmeti. Por nëse në Tiranë nuk do të ketë balotazh, demokratët do të votojnë sërish në 7 bashki të tjera të dielën e ardhshme. Procesi do të përsëritet në Fier, Dibër, Mat, Krujë, Mirditë, Sarandë dhe Librazhd.
Në Elbasan ndonëse i vetëm në garë, Luciano Boçi u konfirmua nga vota e anëtarësisë dhe simpatizantëve për të qenë kandidat i demokratëve në zgjedhjet e 14 Majit.
Në Shkodër edhe Bardh Spahia, i vetëm në garë mori të njëjtin votëbesim, duke kërkuar një rikonfirmim të dytë në krye të bashkisë për qytetin verior.
Në një tjetër bashki të madhe siç është ajo e Durrësit, fitues në primare u shpall ish-deputeti Igli Cara. Në Korçë, Ledina Aliaolli, edhe kjo një ish-deputete u konfirmua si kandidate në 14 Maj. Në bashkinë e Vlorës fitues u shpall Hysni Sharra, në Lushnje Eduard Sharka, në Berat fitues doli Zija Ismaili, në Gjirokastër Dorjan Lani, në Lezhë Pashk Gjoni, ndërsa demokratët e Tropojës e Kukësit vendosën me votën e tyre kandidatë fitues Besnik Dushajn dhe Atmir Sinamatin. Ndërsa në Vaun e Dejës, fitues doli deputeti demokrat Zef Hila.
Në katër bashki, atë të Kuçovës, Përrenjasit, Memaliajt dhe Skraparit fitues dolën kandidatët e Partisë së Lirisë që u bënë pjesë e primareve të demokratëve. Ndërsa katër bashki të tjera, siç është ajo e Himarës, Dropullit, Finiqit dhe Pustecit i janë lënë zona të lira kandidatëve të minoritetit grek dhe atij maqedonas.
Tv Klan