Babë e bir mohojnë akuzën për vrasjen e 23-vjeçares

Faik dhe Shkëlzen Buci të akuzuar për vrasjen e 23-vjeçares Eglantina Buci, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Babë e bir, janë shfaqur të qetë përballë gjykatës, ndërsa kanë mohuar të jenë ata autorët e vrasjes së vajzës së shtëpisë. Në seancën me dyer të mbyllura, Prokuroria pretendoi se vrasja është kryer nga Shkëlzen Buci me urdhër të babait të tij pasi nuk ishin dakord me një lidhje dashurie që ajo kishte krijuar.

Të gjithë dinamikën ngjarjes, sipas akuzës, e ka treguar miku i Shkëlzenit që ka rrëfyer se ka qenë në makinë me Eglantinën dhe vëllain e saj. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, vrasja ka ndodhur në Malin me Gropa dhe më pas Shkëlzeni ka telefonuar babain duke i thënë se puna mbaroi. Por këtë version e kanë rrëzuar dy të akuzuarit dhe avokati i tyre mbrojtës.

Personat nuk e pranojnë që është kryer krimi prej tyre. Provat janë të errëta, nuk ka prova, thjesht janë dyshime të bazuara në gjykimin e mëparshëm, prandaj është rishfaqur çështja, se kjo ka që në 2012, më pas është pezulluar në 2017. I ati dhe vëllai tek vitet 2019-2010 janë takuar për herë të fundit, janë interesuar por ajo nuk banonte në shtëpinë e të atit, ka qenë e fejuar gjatë kësaj periudhe”, tha avokati mbrojtës në përfundim të seancës.

Ngjarja e rëndë nisi të zbardhet në 2017-ën, kur Shkëlzen Buci u arrestua pasi tentoi të vriste aktorin Mishel Prela. Gjatë asaj kohe, policia siguroi një informacion se ai kishte vrarë motrën vite më parë. Pas kësaj indicie, eshtrat e gjetura në Malin me Gropa u dërguan për ekspertizë në një laborator në Kosovë, ku u konfirmua identiteti i 23-vjecares.

Tv Klan