Dalin pamje nga brenda fabrikës së prodhimit të tullave në Maminas të Durrësit e cila është përfshirë nga flakët këtë të premte. Flakët janë përhapur me shpejtësi duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Si pasojë e zjarrit është lënduar një punonjës i fabrikës i cili është dërguar në QSUT për ndihmë mjekësore. Besnik Bojaku po kryente punime dhe ndërsa ka tentuar të shuajë zjarrin ka marrë lëndime të lehta.

Qytetarët dhe punonjësit e fabrikës kanë telefonuar menjëherë zjarrfikësit, të cilët kanë bërë evakuimin nga ambientet ku po punohej.

Fillimisht kanë mbërritur zjarrfikëse të Shijakut, dhe më pas Durrësit dhe të kryeqytetit për tu ardhur në ndihmë kolegëve të qytetit bregdetar.

Ekipet e shpëtimi janë përballur menjëherë me këtë panoramë, ndërsa pas dy orësh në luftë me flakët situata u vu nën kontroll

Siç duket nga këto pamjet të siguruara ekskluzivisht nga Klan Neës, dëmet materiale janë të shumta dhe pothuajse çdo gjë është shkrumbuar.

Sipas drejtorit  dhe shefit të repartit zjarrfikës në Durrës, shkaku i ngjarjes dyshohet të jetë një shkëndijë elektrike.

Fabrika që ka marrë flakë në qendër të Maminasit, ishte gati për të hyrë në punë dhe po bëheshin prova. Duket se flakët janë stimuluar edhe nga përbërja e çatisë dhe mureve ndarëse të fabrikës, të cilat kanë qenë materiale që stimulojnë përhapjen e zjarrit.

Klan News