Dëshmia e motrës: Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë

Kjo është dhoma ku 30-vjeçarja Anisa Josifi ka qëndruar për 15 muaj e vdekur.

Trupi i saj u mbajt nga nëna, Zhaneta dhe e motra, Blerta te cilat pretendonin se do ta ringjallnin sërish. Gjithë banesës i është bërë dezinfektimi.

Mësohet se pasi policia dhe zjarrfikësit pasi kanë hyrë në banesë, aty kanë gjetur vetëm një kavanoz mjaltë, nga i cili kishte ngelur një sasi e vogël. Në frigorifer apo dollapet e kuzhinës, nuk është gjetur asnjë lloj ushqimi, bukë apo fruta. Gratë rrinin pa ngrënë me ditë të tëra dhe nuk takonin askënd.

Televizioni Klan ka parë edhe fotot e trupave të nënë e bijë të cilat tregojnë se ato ishin kthyer në mumje. Policia ka marrë ndërkohë dëshminë e Blertës, të mbijetuarës nga tragjedia e Kombinatit. Ajo ka thënë se e motra, Anisa, qëndroi 52 ditë pa ngrënë.

“Kemi ndjekur Dëshmitarët e Jehovait kur isha 15 vjeç.  Më vonë kemi qenë në Kishën Ungjillore. Dy vitet e fundit u shkëputëm dhe besonim në ringjallje. Ritet Anisa i nisi në Janar të 2019-së dhe vdiq në 27 Mars të po atij viti. Anisa qëndroi 52 ditë pa ngrënë dhe pa pirë, pastaj ra në gjumë të thellë, sepse u pushtua nga demonët. Motrën e lyenim me uthull se kështu na mësonte Bibla. Një vit pasi motra ra në gjumë filluam sakrificën unë dhe mami. Kishim 40-45 ditë pa ngrënë. Pinim vetëm ujë të filtruar në napa. Mami po lutej kur ra pa ndjenja në mes të dhomës. Unë vazhdova ritin derisa erdhi policia”.

Dosja ka mbërritur tashmë në Prokurori, ku ndaj Blerta Josifit është ngritur akuza e shkaktimit të vetëvrasjes. Dëshmia e Blerta Josifit do të verifikohet në një moment të dytë, pasi policia dyshon se ajo ka pësuar shok dhe do vërtetohet nëse është e aftë mendërisht.

Pjesë e hetimeve pritet të jenë edhe disa sekte fetare në Tiranë e Përmet. Për ngjarjen ka reaguar edhe Kisha Ungjillore në Shqipëri që thotë se të gjitha fetë në vendin tonë besojnë në ringjallje dhe se kjo kishë nuk predikon vetëflijimin.

Tv Klan