Personi në këto pamje dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në shtëpinë e Ilir Koçiljas që mbrëmjen e së hënës tronditi lagjen numër 4 të Durrësit. I veshur me një xhup dhe një kapele të zezë në kokë, ai mban në dorë një qese, brenda së cilës dyshohet se ka qenë edhe lënda plasëse para se ta vendoste në dritaren e shtëpisë së Koçiljas.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e tij, ndërkohë që persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen janë marrë në pyetje nga policia.
Gjithashtu policia ka identifikuar edhe një parullë në murin e jashtëm të shtëpisë së Koçilja ku shkruhet “Endacaku Vrasës” që dyshohet se të jetë bërë pak para shpërthimit. Nisur pikërisht nga kjo, grupi hetimor dyshon se vendosja e ekzplozivit të ketë lidhje me ngjarjen e 14 Shkurtit ku Ilir Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas një konflikti për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.

Ndërkohë siç edhe shihet nga pasojat që ka lënë shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, duke shembur një pjesë të murit dhe kangjellat e dritare si dhe duke shkatërruar thuajse të gjitha orenditë dhe pajisjet që gjendeshin brenda shtëpisë së Ilir Koçiljas.
Forca shpërthyese ka qenë aq e madhe sa ka dëmtuar edhe disa makina që kanë qenë parkuar në rrugë dhe ka thyer xhamat edhe të ndërtesave të tjera përballë. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati të lënduar, pasi në shtëpi nuk jeton njeri, dhe se vetë Ilir Koçilja ndodhet në qeli.
Tv Klan