Ky është momenti i vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, rreth mesnatës së të hënës, në lagjen numër 18 në Durrës. Video e siguruar nga Tv Klan është fiksuar nga një kamera në zonë, pak metra larg vendit ku u qëllua për vdekje i riu.

Viktima po lëvizte në këmbë në trotuar, kur automjeti tip Seat, që shihni në pamje, afrohet qetësisht dhe vrasësit e qëllojnë nga brenda tij.

Të shtënat dëgjohen dhe në videon e fiksuar nga kamerat e sigurisë. Në video shihen edhe dy persona, të cilët largohen me vrap nga vendngjarja duke komunikuar me njeri-tjetrin.

Pasi qëllojnë ndaj 29-vjeçari, i cili ndërroi jetë në spital, si pasojë e dy plumbave të marra në trup, autorët, që dyshohet se ishin të paktën dy, u larguan nga vendngjarja me të njëjtin automjet.

Vetëm pak orë më vonë, makina e përdorur prej tyre u gjet e djegur në fshatin Gërdec të Vorës.

“Kjo është gjithçka që ka mbetur nga automjeti tip Seat që përdorën autorët në vrasjen e Ermir Dedjes. Makina është dërguar për ekzaminim së bashku me kallashnikovin, që u gjet i djegur në brendësi të tij dhe që dyshohet se u përdor në vrasjen e 29-vjeçarit”, raporton gazetari Merin Maçi.

Nga verifikimet rezultoi se makina lëvizte me targa të vjedhura pak kohë më parë në Prezë.

Ermir Dedja ishte një emër i njohur për policinë. Më herët ai kishte qenë i skeduar për çështje narkotikësh, por dhe për plagosje.

E shkuara e tij kriminale, por dhe ndonjë konflikt i mundshëm i kohëve të fundit, janë pistat ku po heton policia dhe Prokuroria e Durrësit, që deri tani kanë marrë në pyetje disa persona.

Tv Klan