Dy persona me maska i zunë pritë në afërsi të një karburanti

Ky është momenti i ekzekutimit me breshëri automatiku i 40 –vjeçarit Bledar Birçaj, mesditën e hënës në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës.

Siçshihet edhe nga pamjet bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar. Dy persona të veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë dalin nga një makinë Mercedes-Benz që kishte ndaluar në afërsi të një karburanti, dhe sapo makina tip BMW e drejtuar nga Bledar Birçaj afrohet ata e qellojnë disa herë me automatik.

Të shtënat janë drejtuar drejt vendit të shoferit ku qëndronte 40-vjeçari, i cili për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.

Fatmirësisht plumbave u ka shpëtuar një tjetër person që udhëtonte së bashku me Birçaj, i cili pasi zbret nga makina për një moment kthen kokën pas për të parë dhe më pas largohet në brendësi të lagjes.

Plumbave gjithashtu u kanë shpëtuar edhe dy automjete të tjerë që në momentin e atentatit po shkëmbheshin në rrugë me makinën që drejtohej nga Birçaj.

Në një moment njëri prej atentatorëve nuk kuptohet nëse i është bllokuar arma apo i kanë mbaruar fishekët, por e lëshon atë në tokë. Ai rikthehet sërish për ta marrë atë dhe menjëherë ata hipin në makinën e tyre dhe largohen me shpejtësi.

Bledar Birçaj ishte një emër i njohur për drejtësinë. Në Janar të 2011-ës ai është arrestuar i akuzuar për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone. Së bashku me vëllain e tij ai dhunoi juristin e hipotekës së Vlorës.

Por në Prill të atij viti gjykata e ndryshoi masën nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Ndërsa në Korrik çështja ndaj Birçajt u pushua për mungesë provash. Viktima njihej si pronar i një lokali në zonën e Lungomares së këtij qytetit.

Konfliktet e të shkuarës është një nga pistat ku po hetohet, por nuk përjashtohen as përplasje të reja dhe përfshirja në aktivitete të paligjshme.

Viktima kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë vendit. Policia ngriti postblloqe në akset kryesore dhe hyrje-daljet e qytetit në përpjekje për të ndaluar autorët, por pa rezultat.

Personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes janë thirrur të japin dëshminë e tyre ndërsa po mblidhen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.

Tv Klan