Dalin pamjet e ndjekjes së gomones së shqiptarëve

Dalin pamjet e ndjekjes së gomones së shqiptarëve

23:05 26/09/2019

Forca detare greke qëlloi me snajper pas ndjekjes disa orëshe

Të denja për filmat aksion janë pamjet e ndjekjes së një gomoneje të dyshuar se transportonte lëndë narkotike nga forcat detare greke.

Bëhet fjalë për gomonen e ndaluar mëngjesin e së mërkurës në afërsi të brigjeve të Mililenit, në bordin e së cilës ndodheshin dy shqiptarë dhe një italian.

Ata u pikasën në ujërat turke ku flitet se pati edhe një shkëmbim zjarri. Më pas gomonia hyri në ujërat greke.

Siç duket edhe nga pamjet e publikuara, shpejtësia me të cilën lundronte gomonia është mjaft e madhe por në ndjekje të saj janë vënë një helikopter dhe të paktën 10 skafe të Rojes bregdetare.

Pas disa orësh ndjekje, forcat e policisë kanë qëlluar me snajper në drejtim të gomones për të paralajmëruar trafikantët. Në këto momente ata kanë ndaluar.

Me duart lart ata dorëzohen dhe nuk bëjnë asnjë rezitencë. Në bord nuk ka lëndë narkotike, por burimet flasin edhe për një gomone të dytë e cila humbi gjurmët.

Mediat greke thanë se gomonia ishte nisur nga Shqipëria drejt Turqisë, por policia shqiptare e hodhi poshtë këtë version.

Pala shqiptare tha se po shkëmben informacion me policitë homologe për të zbardhur itinerarin e ndjekur nga ky mjet lundrues.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi