Autori e përshëndeti me dorë para se ta qëllonte

Pasi e priti për mbi një orë përballë lokalit, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj futet i qetë brenda dhe ekzekuton atë me 7 plumba.

Në pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit shihet fillimisht 55-vjeçari Nikulaj i ulur në tavolinë, i cili nis një bisedë me telefon.

Pikërisht në këtë moment në lokal hyn autori me skafandër në kokë, maskë në fytyrë dhe jelek fosforeshent.

E përshëndet me dorë viktimën, i cili ia kthen përshëndetjen dhe nuk ia heq shikimin.

Vrasësi i del përpara, i afrohet tavolinës ku qendronte Nikulaj dhe në ecje e sipër nxjerr pistoletën nga një çantë që e ka në brez dhe zbraz drejt tij gjithë karikatorin, duke e goditur në gjoks dhe në kokë nga fare afër.

Televizioni Klan vendosi të mos i publikojë këto momente sensitive.

Pas vrasjes, autori i drejton pistoletën një prej punonjësve të lokalit dhe largohet me vrap andej nga erdhi.

Merr motorçikletën me të cilën kishte shkuar në Shëngjin dhe largohet. Gjurmët e tij arrijnë deri në Gjadër.

Policia ka kontrolluar disa banesa dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por dëshmitë e tyre nuk kanë qenë ndihmesë për hetuesit.

Shpresat më të mëdha mbeten te kamerat e sigurisë, por maskimi i vrasësit me maskë anti-covid, skanfandër dhe veshja fosforeshente e bën thuajse të pamundur identifikimin e tij.

Prokuroria dhe policia kanë dyshime se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë, por deri tani nuk është përjashtuar asnjë pistë hetimore.

Viktima ishte një emër i njohur në qytetin e Lezhës, si biznesmen dhe për shkak të përfshirjes në politikë.

Ai ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kandidonte sërish për të njëjtin pozicion në zgjedhjet e 14 Majit nën siglën e Partisë Socialdemokrate.

Tv Klan