Katica Janeva mori ryshfet për lirimin e një biznesmeni

Skandali i korrupsionit në Maqedoninë e Veriut që prej kohësh ka përfshirë drejtuesen e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva, tashmë ka edhe prova filmike.

E përditshmja italiane “La Verita” ka publikuar një video ku shihen dy persona të dyshuar si ndërmjetësit e kryeprokurores speciale, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevsk. Ata filmohen duke numëruar paratë në shtëpinë e biznesmenit Orçe Kamçev, i arrestuar pikërisht nga Prokuroria Speciale.

Dy ndërmjetësit marrin çantat me Euro dhe dalin nga shtëpia e biznesmenit Kamçev.

Po ashtu, në pjesën e fundit transmetohet një regjistrim audio, ku biznesmeni sigurohet nga dy miqtë e tij se shumë shpejt do të jetë i lirë.

Në bisedë përmendet si garante prokurorja speciale publike. Katica Janeva është vendosur në krye të Prokurorisë Speciale me sponsorizimin e BE, për të hetuar përgjimet që rrëzuan nga pushteti Gruevskin.

Tv Klan