Dalin pamjet e vrasjes së 62-vjeçarit në Elbasan

Bujar Çela ishte duke konsumuar kafen e mëngjesit ditën e enjte, siç dallohet edhe në këtë foto të siguruar nga Televizioni Klan, kur 3 persona të maskuar i janë afruar dhe e kanë qëlluar me breshëri, duke i shkaktuar vdekjen. Pak sekonda më pas ai shihet i shtrirë në tokë dhe pa shenja jete. 62-vjeçari nuk u ka mbijetuar dot plumbave.

Ishte ora 05:54 minuta e 35 sekonda ku Bujar Çela ndodhej në tavolinë bashkë me një person tjetër.

Në këtë moment nga një makinë Renault, kanë zbritur autorët dhe kanë qëlluar disa herë. Personi që ishte në tavolinë është larguar me vrap, ndërkohë që edhe Bujar Çela ka tentuar të vrapojë, por breshëria e plumbave bën që të rrëzohej në tokë dhe të gjente vdekjen e menjëhershme.

Vetëm 24 sekonda u është dashur vrasësve që të kryejnë ekzekutimin, pasi në orën 05:54 minuta dhe 59 sekonda, ata u larguan nga vendi i ngjarjes.

Policia dyshon se kemi të bëjmë më vrasës me pagesë pasi ata kanë dalë nga makina dhe janë afruar, duke u siguruar që e kishin vrarë Bujar Çelën.

Hetimet janë përqendruar tek hakmarrja për vëllain e 62-vjeçarit, Talon Çelën, që është një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Pavarësisht se Bujar Çela nuk fliste me vëllanë e tij Talo Çela, grupi hetimor thotë se kjo vrasje është një mesazh për të.

Në vendin e ngjarjes janë siguruar vetëm gëzhoja dhe nuk janë gjetur prova që mund të zbulojnë autorët dhe prositësit e kësaj vrasje. RENEA ishte në Elbasan ku zhvilloi disa kërkime, por pa sukses.

Tv Klan