Qytetarët e 21 vendeve të Bashkimit Europian iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të Parlamentit Europian. Përveç Italisë, ku votimet do të vazhdojnë deri në orën 23, thuajse në të gjitha shtetet e tjera qendrat e votimit janë mbyllur, ndërsa janë publikuar edhe rezultatet e para të eksit-polleve.

Kështu, surpriza e madhe vjen nga Gjermania, aty ku Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë është renditur e dyta pas CDU-CSU-së, duke lënë në vend të tretë Partinë Social Demokrate të kancelarit Sholz.

Një tjetër surprizë vjen nga Austria, ku sipas rezultateve të sondazheve Partia e ekstremit të djathtë FPÖ ka siguruar 27 për qind të votave duke lënë pas partinë popullore në pushtet e cila ka marrë vetëm 23 për qind, duke shënuar një rënie me mbi 11 për qind krahasuar me zgjedhjet e 2019.

Në Greqi nuk ka surpriza, pasi Demokracia e Re e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis sipas sondazheve kryeson me një diferencë të madhe nga Siriza e vendit të dytë. Konkretisht, Demokracia e Re pritet të marrë 28% deri në 32% të votave, ndërsa Siriza 11 deri në 14 për qind. E përkthyer në mandate, partia në pushtet do të marrë 7 deri në 8 eurodeputetë, Siriza 4, Pasoku 3, ndërsa disa parti të tjera arrijnë të marrin më pak se 3 mandate.

Pavarësisht rritjes që kanë pësuar partitë e ekstremit të djathtë, sipas projeksionit të parë të zgjedhjeve evropiane të zhvilluar nga Europe Elects, një grumbullues i pavarur i sondazheve dhe të dhënave, qendra e djathtë e PPE parashikohet të marrë 184 vende, qendra e majtë 136, liberalët 88, Konservatorët 73, ndërsa grupimet e tjera do të marrin një numër më të vogël vendesh në Parlamentin Europian.

Gjithsesi, rezultatet e para të votimeve Parlamenti Europian pritet t’i bëjë rreth orës 20 e 30 minuta.

Tv Klan