Studentët në rrethe kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme. Në Korçë, studentët janë mbledhur përsëri dhe marshuan drejt bulevardit “Republika”. Ata u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen kauzës së tyre. Studentëve të Korçës u janë bashkuar edhe gjimnazistët.

Ndërkohë, policia ka nisur një hetim për organizatorët e tubimit të së martës në aksin Korçë – Pogradec, ku u bllokua qarkullimi i mjeteve.

Edhe në Gjirokastër, studentët kanë dalë në protestë dhe janë mbledhur përpara Universitetit “Eqrem Çabej”. Ata vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Gjithashtu edhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë po protestojnë përpara rektoratit.

 “Nuk ka dialog, dialogu ynë është në shesh. Jemi kërcënuar, por ne nuk kemi frikë. Bashkohuni me ne, jo politikë”,

janë parullat e tyre.

Studentët kanë qëndruar me fletë të bardha në duar dhe kanë bërë thirrje për plotësim të kërkesave të tyre. Aktualisht nuk ka patur protestues që i drejtohen Tiranës sepse ata kanë zgjedhur të protestojnë në qytetin e tyre.

Studentët e Shkodrës e zhvendosën protestën e tyre, ata po protestojnë para gjimanzeve të qytetit. Kjo për shkak se mësuesit kanë penguar nxënësit të lenë mësimin.

Studentët po u bëjnë thirrje gjimanzistëve, banorëve, tregtarëve të bashkohen me ta.

Protesta e studentëve në të gjithë Shqipërinë vijon prej më shumë se një jave, të cilët kanë parashtruar një listë me 8 kërkesa për të cilat kërkojnë zbatim dhe jo dialog.

/tvklan.al