Ky, një tjetër aksident me “Pegasus” në Stamboll

Thellohet në 3 të vdekur dhe 179 të plagosur bilanci i aksidentit të një avioni të kompanisë ajrore “Pegasus Airlines” në Stamboll.

Avioni doli nga pista gjatë uljes në aeroportin ndërkombëtar “Sabiha Gokcen” të Stambollit, pasditen e të mërkurës, pasi kishte mbërritur nga Izmiri. Autoritetet thanë fillimisht se nuk kishte viktima, por bilanci i tyre u bë i ditur pas përfundimit të operacioneve të kërkim shpëtimit.

Avioni doli nga pista me një shpejtësi tepër të lartë dhe përfundoi 30 deri 40 metra jashtë saj, pranë autostradës që të çon në aeroport. Mjeti fluturues pësoi dëmtime të rënda, duke u ndarë në tre pjesë dhe njëra prej tyre u përfshi nga flakët. Mendohet që shkak i aksidentit ka qenë rrëshqitshmëria e lartë në pistë si pasojë shirave të dendur.

Fluturimet në aeroportin “Sabiha Gokcen” u pezulluan dhe u devijuan për disa orë në aeroportin tjetër ndërkombëtar të Stambollit. Avionët e kësaj linje janë përfshirë në disa incidente të ngjashëm, ku i fundit ishte ai i 7 Janarit në të njëjtin aeroport.

Një tjetër rast që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare është ai i 13 Janarit 2018 kur gjatë uljes, avioni “Pegasus” doli nga pista dhe përfundoi në greminë, në të dyja rastet pa viktima. “Pegasus” është një ndër kompanitë që kryen fluturimet Tiranë–Stamboll e anasjelltas.

Tv Klan