Dalja e lumenjve nga shtrati për shkak të fryrjes nga reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa rrethe.
Disa hektarë tokë dhe dhjetëra shtëpi të banuara janë përmbytur sërish nga lumi Vjosë në Fier. Situata më problematike është në fshatin Kashisht dhe Çerven.
Me dhjetëra familje janë detyruar dhe një herë të braktisin banesat e tyre ashtu si në fillim të këtij muaji.
“U trembëm, jemi shumë të fiksuar. Lumi sa vjen dhe shtohet prapë. Mbrëmë ishte vërtet, shi binte, lumi vinte. Ku do venim, ku do futeshim ne. As plaçka, as fëmija, nuk ka ku të vejë më.”
“Ne ndejtëm pa gjumë tërë natën. Ne i hoqëm të tëra plaçkat. Nja dy-tre shtëpi aty u mbyllën mbrëmë përsëri.”
Po kështu dhe lumi Gjanicë që përshkon qytetin e Fierit ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur tregun industrial.
Ndërsa lumi Osum ka vërshuar mbi lagjen e Kombinatit në Berat duke shkaktuar dëme të mëdha.
Drejtuesit e pushtetit vendor kishin paralajmëruar se fryrja e Osumit do të sillte pasoja të rënda gjatë sezonit të shirave dhe kishin kërkuar realizimin e disa projekteve për ndërhyrje serioze në argjinaturën e tij./tvklan.al
Gazetar: Fatos Hakorja