Zëvendëspresidentja e qeverisë amerikane, Kamala Harris, ka bërë daljen e parë publike pas njoftimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, se po tërhiqet nga gara për zgjedhjet e Nëntorit.
Duke folur para turmës së njerëzve, Harris ka vlerësuar Presidentin Biden teksa thotë se ajo që ai ka lënë pas është e pakrahasueshme në historinë moderne.
“Në një mandat, ai tashmë ka tejkaluar trashëgiminë e shumicës së Presidentëve me dy mandate. Trashëgimia e tij e arritjeve gjatë tre viteve të fundit është e pakrahasueshme në historinë moderne,” u shpreh ajo.
Ndër të tjera Harris thotë se fillimisht e ka takuar Presidentin përmes djalit të tij Beau.
“Fillimisht e takova Presidentin Biden përmes djalit të tij Beau. Cilësitë që ai veçonte te babai i tij janë të njëjtat cilësi që kam parë te ai ndershmëria, integriteti, përkushtimi ndaj besimit dhe familjes së tij, zemra e tij e madhe dhe dashuria e tij për vendin tonë,” thotë ajo.
Kujtojmë se Joe Biden iu dorëzua thirrjeve të demokratëve, duke u tërhequr nga gara e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit në SHBA. Në deklaratën e tij, të dielën, tha se vendimin e mori për të mirën e kombit.
Presidenti po ashtu bëri thirrje që kandidati demokrat përballë Donald Trump duhet të jetë nënpresidentja Kamala Harris.
Për demokratët, akti i Biden për t’u tërhequr cilësohet si patriotik, pasi vendosi vendin para interesit personal. Ndërsa Trump e cilësoi Biden si presidentin më të keq në historinë SHBA-ve.
/tvklan.al