Nisin hetimet nga zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale

Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale ka nisur hetimet për daljen e informacioneve konfidenciale të shtetasve, si një veprim i kundërligjshëm.

Personal data breach” e realizuar në një shkallë të gjerë, siç është rasti me publikimin e të dhënave personale të shtetasve, përbën shkeljen më të rëndë të jetës private dhe të së drejtës së qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale. Zyra e Komisionerit ka nisur tashmë një proces hetimi administrativ, rezultatet e të cilit do të bëhen publike brenda afateve ligjore”.

Ndërkohë zyra e Komisionerit bëri thirrje që të ndalet shpërndarja e të dhënave personale duke e quajtur këtë një lojë të rrezikshme.

“Qarkullimi dhe publikimi online i të dhënave të shtetasve, në pjesën dërrmuese të rasteve të konstatuara, rezulton të jetë në tejkalim të interesit publik dhe, rrjedhimisht, përbën cenim në shkallë të gjerë të jetës private dhe, më tej, familjare të çdo qytetari që është subjekt publikimi.

Këto publikime, si dhe çdo qarkullim online dhe/ose manual i të dhënave në fjalë, përbëjnë një “lojë” të rrezikshme dhe me pasoja të pakthyeshme për qytetarët. Për këtë arsye, Zyra e Komisionerit kërkon t’i jepet fund kësaj “loje” të kundërligjshme nga kushdo”.

Komisioneri apeloi qytetarët që të mos bëhen pjesë e skemave mashtruese me të dhënat personale, siç po ndodh në praktikë, pasi rrezikon të ketë pasoja të dëmshme për jetën private.

Tv Klan