Vrasësi i 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave më 1 Mars 2023, Dan Hutra pretendon se kanë dashur ta helmojnë në burg në verën e vitit 2022, kur ai ishte arrestuar për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj partneres së tij Alketa Hysa.

Në një intervistë telefonike nga burgu 302 për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Dan Hutra thotë se me Vladimir Kurtin ka qenë shok qelie. Sipas tij, gjithçka nisi kur Marjana Gurakuqi, ish e dashura e tij, e cila ishte gruaja e parë që u plagos në Astir nga 40-vjeçari Hutra më 1 Mars, i kërkoi që të organizonin planin për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Dan Hutra, siç tregoi ai, nuk ka pranuar dhe pas këtij momenti Marjana Gurakuqi kontaktoi me Vladimir Kurtin. Këtij të fundit, thotë Dan Hutra, Marjana Gurakuqi i kishte dërguar një ditë byrek në burg. Byreku, sipas Dan Hutrës, ishte i helmuar dhe ishte pikërisht për të.

Vladimir Kurti, rrëfen Dan Hutra, i ofroi byrekun e helmuar për ta ngrënë, por 40-vjeçari nuk pranoi.

Dan Hutra: U futa brenda, më lanë në arrest me burg. Më çojnë te 313. Sistemohem te godina B për arsye shëndetësore pasi unë vuaj me diabet. Futem në dhomë me Lad Kurtin, me Vladimir Kurti. Kisha gjyqin në Apel për ndryshim masë. Atë natë unë jam dërguar me urgjencë në spital. Vladimir Kurti atë natë më ka vjedhur numrin në xhepin e tutave dhe ka qenë numri i plakës dhe numri i Marjana Gurakuqit, edhe kodi ka qenë te numri që kisha regjistruar te edukatorja. Pa u bërë tamam 2 muaj, më ka thënë Marjana Gurakuqi, jam shqetësuar në telefon nga burgu. Dhe unë nisa tu qesh, i thashë kjo është e pamundur. Se kodin e kisha vetëm unë. Se i përdorim me kod numrat neve. Dhe nuk i vura rëndësi fare se çfarë më tha. Ajo zonja Marjana Gurakuqi kishte vazhduar duke folur me Ladin. Pas 3 muajve e gjysmë, Marjana Gurakuqi më kërkon të vrasë Marselin, burrin e vetë.

Spartak Koka: Si ta kërkon këtë?

Dan Hutra: Me një plan të mirëorganizuar vetë ajo se e kam mësuar unë se si bëhen këto gjëra dhe më thotë të hajë majmunin. Të hajë majmunin domethënë pseudonimi i Marselit ishte majmuni. Se majmuni i thoja në telefon atij. Të hamë, thotë, majmunin, dhe ajo ka ca toka që po bëhen ca pallate dhe donte të merrte hyrjet. I thashë unë, si the? Gje tha 3-4 çuna, ta lejë derën në çelës, brenda janë 40 milionë Lekë, të vijnë t’i marrin lekët. Këto biseda janë bërë në telefon.

Spartak Koka: Me telefonin e burgut?

Dan Hutra: Me telefonin e burgut. Më tha, t’i marrin lekët çunat dhe të ndodhi si grabitje. Vrasin Marselin dhe ngjarja si grabitje. Marjana në atë kohë, fëmijët edhe vjehrrën e vetë e kishte në Greqi, dhe i kam thënë çfarë the moj? A je mirë në mend a jo? Ajo e pa që unë e mora shumë keq dhe më tha po bëja shaka o frikacak.

Spartak Koka: Në cilin muaj ka ndodhur kjo bisedë?

Dan Hutra: Në muajin Gusht. Dhe më ka thënë po bëja shaka o budalla. Kam mbyllur menjëherë telefonin dhe kam thirrur shefin e informacionit te 313 dhe grupin e gatshëm. I kam thënë, me një lidhje telefonike me të dashurën time më ka kërkuar këtë këtë këtë. Dhe na ka thënë shefi i informacionit, ne nuk merremi me këtë punë, ka kompetent të tjerë që merren me telefonatat dhe me zbulimin e këtyre gjërave. Ok i kam thënë më fal. Nesër, ju thashë, mos më thoni se nuk ju kam thënë. Pas kësaj situate, Marjana e mori vesh se unë çfarë i kisha thënë shefit të informacionit. Dhe unë thoja nga e mori vesh kjo. Edhe unë po vazhdoja po dyshoja. Vazhdoja duke dyshuar por s’po bëja dot lidhjen. Thashë a mos ka lidhje me ndonjë polic, me ndonjë të dënuar që unë nuk e njoh. Ndërkohë, një ditë Vladimir Kurti bën takim. Kishin kaluar plot 20 ditë nga ngjarja që Marjana më kishte kërkuar të vrisja burrin. Bën takim Vladimiri, po Vladimiri kur i vinin në takim nuk i vinte ndonjë gjë kush e di. Atë ditë unë shoh çanta mezi po i binte ai pastruesi, ai punëtori, brenda, u habita. Një ndryshim shumë i madh. Se unë i kisha blerë atlete, rroba, Digitalb, komodina gjithçka ja kisha blerë unë Ladit. Më nxjerr një tas me byrek. Po u dridhte ore. Edhe tha ika unë në ajrosje. Më tha mua ha ti se unë po iki në ajrosje. Unë kam ngrënë mëngjes i thashë. Ai kishte sjellë byrek se e dinte që më pëlqente. Dola unë po flisja në telefon, ky doli në ajrosje. Kur erdhi e pa byreku që s’kisha ngrënë. Haje ore tha se është i nxehtë se ftohet. I them unë nuk dua. Po i them shumë me inat. Domethënë diçka po më frenonte. Dhe e marr unë atë tasin e byrekut t’ja jepja atij që ndante bukën, bërtiti ky, mos ja jep atij tha mos ja jep. Po pse mor vlla thashë çfarë ke. E ka kapur byrekun, nuk e ka hedhur në kazan të plehrave, po e ka shtrydhur me dorën byrekun dhe e ka hedhur në gropën e ujit. Aty dyshova shumë unë. Nejse. Në darkë i them ore përse e hodhe byrekun. Andej e këtej patëm goxha debat. Edhe unë fola me ca fjalë jo të këndshme. Të nesërmen më ka thënë Marjana Gurakuqi a ka vdekur kush në burg? Jo i thashë unë. Përse, i thashë? Jo tha pyeta se mos ka vdekur kush atje tek ju. Pra byrekun e kishte çuar Marjana Gurakuqi. Ajo e pa që unë isha gjallë, obobo tha mos e ka ngrënë tjetërkush byrekun.

Spartak Koka: Byreku ishte i helmuar sipas teje?

Dan Hutra: Po si sipas meje, ti a dëgjove çfarë veprimesh bëri Ladi a jo.

Spartak Koka: Që nga ky moment kur fillove të dyshoje që po të bëhet ky sulm?

Dan Hutra: Të nesërmen vjen shefi i regjimit dhe i them shefit të regjimit dua të më ndërrosh dhomë. E kam ndërruar dhomën brenda gjysmë ore. Pas 3 ditëve jemi konfliktuar me Ladin. Dhe më ka marrë mua policia më ka zbritur nga kati i parë më ka zbritur në minus. Këto janë dokumente që faktohen, lëvizjet të gjitha. Kam zbritur në minus dhe kam vazhduar duke folur me Marjanën. I kam kërkuar Marjanës të më japë Lekë, 80 mijë Euroshin që ja kisha dhënë, e kërkova, i thashë më duhen lekët andej këndej dhe shiko çfarë më thotë Marjana. 80 mijë Euroshin thotë unë jam kam dhënë dikujt tjetër të ma ruaj dhe ai nuk ndodhet në Shqipëri. U acarova aq shumë sa po ja kërkoja lekët me këmbëngulje. Dhe më jep vetëm 20 mijë Euro.

Spartak Koka: Po ku ti sjell?

Dan Hutra: Marjana ia jepte një personi tjetërkujt.

Spartak Koka: I çove një njeri ti?

Dan Hutra: Po sigurisht. Ca njerëz i ka njohur Marjana. Prit se Marjana ka histori tjetër. Policia ose Prokuroria me hetue, nëna e Ladit, Marjana dhe nja 7 veta të tjerë sot ishin në burg ore sepse nëna e Ladit ka çuar telefonin te Marjana, i kam me numra. Numri që ju ka dhanë Marjanës që folte me Vladimir Kurtin ia ka dhënë nëna e vetë. Nuk ka qenë numri i Marjanës. Edhe unë që kam folur me Marjana Gurakuqin ka qenë numri im nuk ka qenë numri i Marjanës. E ngacmoj Marjanën, i them kush të ka marrë në telefon. Po tha unë ta kam thënë para 2 muajve që dikush më ka shqetësuar nga burgu. Nuk ashtu. I thashë unë jam larguar nga 313. Tha ti nuk je larguar nga 313 ke ndërruar kat. Po ti i thashë nga e di? Më thotë, ma ka thënë Lad Kurti. E pranoi Marjana se fliste me Vladimir Kurtin. Më iku truri.

Duke komentuar këtë deklaratë të Dan Hutrës, dy të ftuarit në studion e Uniko, profesori i Gazetarisë Zylyftar Bregu dhe neuropsikologia klinike Elma Miftari, thanë se rasti ka nevojë për hetim.

Zylyftar Bregu ngriti edhe shqetësimin e futjes në burgje të ushqimeve vazhdimisht për të burgosurit, gjë që sipas tij, në burgjet e BE-së nuk ndodh kaq shpesh sa në Shqipëri.

Ndërsa Elma Miftari theksoi se nuk përjashtohet as mundësia që i gjithë plani i helmimit të jetë fantazi e Dan Hutrës.

Zylyftar Bregu, pedagog i Gazetarisë: Këtu futemi në një zonë që kërkon kontributin tuaj të gazetarëve për ta vërtetuar gjithë këtë plan sepse në qoftë se ne i besojmë atyre çka thamë deri tani, do të thotë që mundet që të jetë një fantazi e tij për të motivuar sjelljet e veta. Sigurisht mundet që të jetë dhe e vërtetë, nuk e mohojmë këtë gjë por kjo lipset që të vërtetohet me autoritetet e burgjeve nëse ka dokumente, raporte, nëse ka evidenca. Sigurisht që kjo nxjerr një plagë të madhe të sistemit të burgjeve në Shqipëri, siç është ai i furnizimit të të burgosurve me ushqime nga jashtë, një praktikë e pa aplikuar në asnjë vend të BE. Mund të çosh për momente specifike, një tortë për ditëlindje a një gjë që mund të haet në një mjedis jashtë regjimit të brendshëm, pra kjo nxjerr një plagë tjetër. Sepse episodi që tregon Dan Hutra për mua ka nevojë për investigim dhe nuk ia lejoj vetes që të ngre një hipotezë bazuar me një deklaratë të tij.

Elma Miftari, neuropsikologe klinike: Nëse është një fantazi e Dan Hutrës plani i helmimit, atëherë prapë lidhemi te kërkimi i motivit sepse ai e kishte ndarë mendjen që të bënte sulmin edhe ndaj viktimës tjetër dhe domosdoshmërisht ta lidhte në mendjen e tij që kur të ndodhte akti ta kishte justifikimin gati që pse e bëri. Sepse ajo më tradhtonte me shokun e dhomës dhe normalisht u përpoq të më helmonte. /tvklan.al