“Dance With Me”, Lejla: Do e nis me një kërcim sensual me Robert Berishën

Lejla Kraja gjatë provave të spektaklit "Dance with me"

“Dance With Me”, Lejla: Do e nis me një kërcim sensual me Robert Berishën

18:22 17/09/2018

Ka studiuar për biznes ndërkombëtar, është modele, punon si gazetare sportive dhe së fundmi është dhe pjesë e spektaklit të kërcimit “Dance With Me” që transmetohet në Tv Klan. Lejla Kraja vajza bukuroshe me tipare mesdhetare, prej disa muajsh është rikthyer në Shqipëri dhe mesa duket do të rrijë gjatë. Ajo ka lindur dhe është rritur në Kaliforni, por nuk e shikon të ardhmen atje, pasi sipas saj në Kaliforni nuk është shumë e thjeshtë të punosh në televizion.

Lelja do të jetë çdo të hënë duke kërcyer në spektaklin “Dance With Me” përkrah Robert Berishës, me të cilin njihet prej vitesh dhe kanë një miqësi. Në një intervistë për tvklan.al bukuroshja shkodrane na tregoi për ftesën në “Dance With Me”, punën në Super Sport, por edhe për jetën dhe pasionet e saja.

Ju keni lindur, jeni rritur në Kaliforni dhe tashmë jeni rikthyer në Shqipëri. Pse vendosi Lejla të jetojë në Tiranë, ndërkohë që shumica e të rinjve duan të ikin jashtë, ju riktheheni?

Unë jam rikthyer në Shqipëri, Tiranë në muajin Janar dhe do rri gjatë. Ndërkohë më parë kam ardhur për pushime, për qejf. Këtu ka vështirësitë e veta dhe si çdo vend ka gjërat pozitive dhe negative. Korrektësia është pak problem këtu. Gjithmonë më ka pëlqyer Shqipëria dhe kam ardhur ta vizitoj. Unë jam nga Shkodra dhe familja jeton në Kaliforni dhe kanë punët e tyre, kanë krijuar jetën atje. Unë jetoj vetëm këtu. Vëllezërit dhe motrat jetojnë atje dhe nuk kanë qejf të rikthehen. Puna që unë bëj këtu është shumë e vështirë për tu bërë në Amerikë, por nëse do kisha pasur një profesion tjetër nuk do isha këtu. Por në Shqipëri ma kanë dhënë mundësinë.

Do të jeni pjesë e një programi kërcimi, si erdhi ftesa për “Dance With Me”?

Unë u angazhova tek sfilata e Alketa Vejsiut dhe më pas ishte drejtori im Dritan Shakohoxha që më propozoi që të isha pjesë e Dance-it. Duke qenë se nga Super Sport kanë qenë edhe vajzat e tjera, Ilda, Bora, Viola dhe këtë herë ishte radha ime. Të them të drejtën nuk di të kërcej shumë mirë, por me vullnet mësohet. Do e shohim me kalimin e kohës. Unë do kërcej me Robert Berishën. Kam shumë vite që e njoh atë së bashku me Norën. Pra do të kërcej më një partner që e njoh dhe për këtë jam shumë e lumtur.

Kërcimi me të cilin do e hapni Dance With Me”?

Do prezantohemi me një kërcim shumë të fortë dhe shumë sensual, pak i vështirë si për natën e parë, por është  i bukur.

Punon si gazetare sportive në Super Sport, ku e gjen vetën më shumë, pasi ju jeni dhe modele?

Gjithmonë kam qenë e lidhur me sportin, jo eksperte, por më ka pëlqyer. E vetmja që më ka penguar më shumë në fillim ka qenë gjuha shqipe, pasi është shumë e vështirë. Por edhe gjuha e sportit është shumë ndryshe. Mua më pëlqen shumë sporti dhe dua ti dedikohem, ndoshta mund të eksperimentoj në ndonjë spektakël, por më pëlqen shumë sporti, punoj me pasion dhe nuk dua të heq dorë.

Si e shikon mentalitetin e të rinjve shqiptarë krahasuar me atë në Kaliforni?

Të  rinjtë shqiptarë janë ende në një fazë që nuk e njohin mirë veten. Duan të jetën “mendje hapur”, por në të njëjtën kohë janë dhe shumë tradicionalë. Meshkujt janë disi më ndryshe. Ndërsa në Amerikë janë më tepër se ç’duhet “mendje hapur”. Por mua më pëlqen më shumë mentaliteti evropian. Unë kam jetuar disa muaj edhe në Londër dhe më thënë të drejtën më pëlqen shumë më shumë se në Amerikë. Por edhe në Amerikë ka shumë shtete që janë raciste.

Lidhur me një deklaratë tuajën se nuk të pëlqejnë meshkujt futbollistë. Keni pasur një lidhje me një futbollist që jeni shprehur kështu?

Unë jam shprehur gabimisht, ose nuk e kam menduar mirë se çfarë kam thënë për momentin. Unë jam duke mësuar gjuhën shqipe dhe nuk e kam menduar mirë. Nuk është se nuk më pëlqejnë futbollistët, mbase nuk zgjidhet burri nga profesioni, por unë preferoj një profesion tjetër. Por nëse do ishte një futbollist që do më pëlqente, do lidhesha. Unë jam shpejtuar në atë përgjigje. Më pëlqejnë meshkujt me humor. Nuk ka shumë rëndësi ana financiare, por duhet të jetë një mashkull që punon, ka ambicie dhe i përkushtohet femrës.

Aktualisht keni marrë përsipër shumë angazhime, a keni kohë për vete, dhe pse jo për një lidhje?

Në Amerikë kam punuar që 14 vjeç, kështu që jam mësuar me këtë regjim. Prej moshës 18 vjeçe jam e pavarur dhe jam mësuar me punën, më duket çudi apo po bëj gabim nëse nuk punoj. Unë nuk jam tip që i shpërndaj gjërat nëpër Instagram edhe kur kam qenë e lidhur i kam mbajtur gjithmonë për vete, postoj shumë pak. Dhe familjen e mbaj vetëm për vete dhe nuk e reklamoj, lartë e poshtë në rrjetet sociale. Edhe nëse do lidhem do jem shumë private.

Cila është ajo oferta që ju nuk do i thoshit Jo?

Ftesa për në “Super Sport” më erdhi nga shoku im Ervin Kurti dhe deri tani jam shumë e kënaqur. Nuk e di për ndonjë ofertë tjetër. Dua të rri gjatë këtu ku jam dhe ndoshta në të ardhmen do të doja të kisha një emision timin. Pastaj prioritetet ndryshojnë vit për vit. Unë kam mbaruar studimet për biznes ndërkombëtar dhe pse jo një biznes timin. Por televizioni më pëlqen shumë.

A mendoni të riktheheni në Kaliforni?

Ndoshta me muaj, por jo gjatë gjithë kohës. Nuk jam person që bëj plane, Çdo gjë e mirë më ka dalë pa plane.

Cila është mikesha juaj, apo miku më i afërt që keni në Shqipëri?

Kam disa në fakt. Ervin Kurti është një njeri shumë special për mua. Sisilja Ujka, ajo më ka ndihmuar shumë në situata të vështira, Adela Lami, e cila është në New York. Këto janë disa nga miqtë e mi më të afërt.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT