Gjobë deri në dy vjet burg për ata që përdhosin në publik objektet fetare

Qeveria daneze planifikon ta ndalojë me ligj djegien e Kuranit, nismë pasi një vargu incidentesh të djegies të librit të shenjtë të myslimanëve që ka shkaktuar zemërim të madh nëpër botë.

Ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard tha se projektligji do të “ndalojë trajtimin e papërshtatshëm të objekteve me rëndësi të madhe fetare për një komunitet”.

Ai shtoi se legjislacioni i ri synon veçanërisht djegien dhe përdhosjen e librave të shenjtë në hapësira publike. Legjislacioni i ri do të përfshihet në kapitullin e 12-të të Kodit Penal të Danimarkës, që përfshin edhe sigurinë kombëtare, element që është “motivimi” kryesor që e shtyu qeverinë daneze drejt përgatitjes së këtij projektligji.

Ministri Hummelgaard shtoi se djegia e Kuranit është një “akt thellësisht përçmues dhe jodashamirës” që “dëmton Danimarkën dhe interesat e saj”.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë duarkryq kur disa individë bëjnë gjithçka që munden për të provokuar reagime të dhunshme.”

I njëjti ligj do të zbatohet edhe për përdhosjen e Biblës dhe Torës. Ata që shkelin ligjin rrezikojnë të dënohet me gjobë dhe deri në dy vjet burgim.

Aktivistët kundër islamit kanë djegur apo përdhosur disa kopje të librit të shenjtë të myslimanëve në muajt e fundit, duke nxitur zemërim në botën islame. Turqia i ka dënuar vazhdimisht protestat e tilla, përfshirë ato në Suedi, vend i cili po e pret dritën e gjelbër nga Ankaraja për t’u anëtarësuar në NATO.

Qeveritë e Danimarkës dhe Suedisë e kanë dënuar djegien e Kuranit dhe paralajmëruar masa, por kritikët thonë se liria e shprehjes është e mbrojtur me kushtetutë dhe se çfarëdo vendimi për ndryshim mund ta rrezikojë këtë të drejtë.

Klan News