Kosova nuk e ka ratifikuar ende Traktatin për strehimin e qindra të burgosurve nga Danimarka, edhe pse dokumenti për këtë qëllim parasheh që transferimi i tyre të bëhet në tre muajt e parë të këtij viti.

Dy vendet kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit të kaluar, dokumenti është shndërruar në Traktat.

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Nazlie Bala, këshilltare politike në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet për përshtatjen e burgut të Gjilanit me kërkesat e Danimarkës nuk kanë filluar ende, por se të gjitha planet investuese janë përgatitur.

Këto plane, sipas saj, janë bërë gati nga ekipet teknike nga Danimarka dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Por, punimet nuk mund të fillojnë pa ratifikimin e Traktatit në Kuvendin e Kosovës.

“Traktati, i cili është nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Danimarkës e ka pjesë të veten edhe Marrëveshjen për Energji të Gjelbër, dhe pa nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga dy ministritë përgjegjëse [v.j. ministritë e Financave të të dyja shteteve], ne nuk mund ta procedojmë tutje Traktatin, në Qeveri dhe Parlament, për ratifikim”, thotë Bala.

Ministria e Financave e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Radios Evropa e Lirë se kur pritet të nënshkruhet Marrëveshja për Energji të Gjelbër.

Parlamenti danez, në anën tjetër, e ka ratifikuar Traktatin në fjalë vitin e kaluar. Bala shpreh bindjen se ai pritet të finalizohet më së largu në fillim të muajit shkurt, prej kur, siç thotë ajo, do të mund të nisin edhe investimet në burg.

Objekti i burgut në Gjilan – qytet në pjesën lindore të Kosovës – është ndërtuar në vitin 2015.

Bala thotë se ai, kryesisht, i plotëson nevojat dhe standardet ndërkombëtare dhe se dhënia në shfrytëzim e qelive të tij për Danimarkën nuk do të marrë shumë kohë.

“Besoj se ky proces do të jetë me dinamikën e planifikuar nga ekipet teknike nga Danimarka dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thotë Bala.

REL kontaktoi edhe Qeverinë daneze, zyrtarë të së cilës thanë se presin që të dërgojnë të burgosur në Institucionin Korrektues të Gjilanit në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rasmus Meldgaard, këshilltar për media dhe komunikim në Ministrinë daneze të Drejtësisë, tha se Traktati parasheh që Danimarka të nisë ta shfrytëzojë kapacitetin e burgut në Gjilan nga tremujori i parë i vitit 2023.

“Për nisjen e shfrytëzimit të burgut në Gjilan, aktualisht jemi në pritje të ratifikimit të Traktatit [nga Kosova] dhe zbatimit të masave ndërtimore të nevojshme, për t’u siguruar se objekti është në gjendje të funksionojë në përputhje me kriteret daneze dhe detyrimet ndërkombëtare të Danimarkës”, tha Meldgaared./REL