Danimarka e ka cilësuar si një presion të papranueshëm nga SHBA mbi Groenlandën. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar se ishulli do t’i rezistojë një presioni të tillë nga administrata amerikane.

Deklarata vjen ndërsa një delegacion i profilit të lartë amerikan do të vizitojë Groenlandën. Vizita e cila zgjat nga e enjtja deri të shtunën do të udhëhiqet nga Usha Vance, gruaja e Zëvendës Presidentit JD Vance dhe do të përfshijë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz dhe Sekretarin e Energjisë, Chris Wright.

“Kjo është e qartë se nuk është një vizitë që ka të bëjë me atë që Groenlanda ka nevojë ose dëshiron. Kjo është arsyeja pse më duhet të them se presioni që po i bëhet Groenlandës dhe Danimarkës në këtë situatë është i papranueshëm,” i tha Frederiksen transmetuesit danez DR.

Brian Hughes, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se delegacioni kishte për qëllim “të mësonte për Groenlandën, kulturën, historinë dhe njerëzit e saj”. Frederiksen hodhi poshtë idenë e një vizite private: “Nuk mund të bësh një vizitë private me përfaqësues zyrtarë nga një vend tjetër” u shpreh ajo.

Kryeministri në largim i Groenlandës e ka cilësuar vizitën e delegacionit amerikan, një “provokim” dhe tha se qeveria e tij e përkohshme nuk do të takohej me të. Qeveria në largim e Groenlandës tha në një postim në Facebook se nuk kishte “dërguar asnjë ftesë për vizitë private apo zyrtare”.

Që nga kthimi në pushtet në Janar, Trump ka këmbëngulur se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të marrin Groenlandën dhe madje ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të arritur këtë qëllim.

Mbi 2 milionë kilometra katrorë të Groenlandës janë të mbushura me burime të mëdha natyrore, të pashfrytëzuara, duke përfshirë tokat e rralla duke bërë të që SHBA-ja të kthejë sytë nga ky vend.

Sipas sondazheve të opinionit, shumica e Groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por jo aneksimin nga Uashingtoni.

Klan News