Borrell: Në takim me një qasje gjeopolitike, përtej zgjerimit

Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen këtë të martë në një darkë pune të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian Joseph Borrell.

Në takim marrin pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kosovës Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev etj.

Në një deklaratë para takimit, Borrell tha se zgjerimi përkundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor është një prioritet i Bashkimit Europian, por në këtë darkë joformale tha ai, qëllimi është të dëgjohen liderët e vendeve të Ballkanit dhe të kuptohen më mirë dinamikat e zhvillimeve në rajon.

“Qasja në këtë takim do të jetë më gjeopolitike”, tha Borrell duke e vënë theksin në një panoramë më të përgjithshme mbi Ballkanin Perëndimor se sa ajo për proceset e integrimit.

Më herët, burimet diplomatike thanë për median gjermane Deutsche Welle se BE është e shqetësuar për zhgënjimin në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ngecjeve në procesin e zgjerimit, ndaj sipas tyre Brukseli është në kërkim të kthimit të ndikimit të humbur në rajon.

Tv Klan