“Kundër ndryshimit të kufijve, spekulime të rrezikshme që nxisin destabilitet”

Shtetet e Bashkuara mbështesin hapjen e plotë të negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Qershor, siç e bën të qartë Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për reformat vendimtare dhe vazhdojmë të mbështesim hapjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian për të dy vendet në Qershor”.

Përmes një deklarate për shtyp ku shprehet angazhimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur vendet e rajonit në rrugëtimin euroatlantik, DASH thekson qëndrimin se është kundër çdo ndryshimi të kufijve aktualë.

“Spekullimet e pajustifikuara të kohëve të fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan sipas ndarjeve etnike, rrezikojnë të nxisin destabilitet në rajon dhe të rikthejnë kujtimet e tensioneve të së kaluarës”.

Mbështetje shprehet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar tek njohja e ndërsjelltë. Uashingtoni angazhohet edhe për të ndihmuar vendet e rajonit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik për t’i bërë ballë sfidave dhe manipulimeve në fushën e energjisë nga Rusia.

Tv Klan