BE: I papranueshëm dyshimi i integritetit të përfaqësive diplomatike

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se është në dijeni të komenteve të Presidentit Shqiptar Ilir Meta ndaj ambasadës amerikane në Tiranë dhe diplomatëve të saj. Në një reagim të një prej zëdhënësve të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës, thuhet se po vëzhgojnë situatën. 

“Departamenti i Shtetit është në dijeni të komenteve dhe jemi duke e vëzhguar situatën. Respektimi i ligjit është mbi të gjitha. Qëndrimi i Shteteve të Bashkura nuk ka ndryshuar. Vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Europian. Zëdhënësja e Komisionit evropian Maya Koçijançiç thotë se nuk duhet vënë në dyshim integriteti i përfaqësive diplomatike. 

“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme. Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së. Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian”.

Koçijançiç thotë se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Tv Klan