“Shqipëria ka përparuar, por problem paratë nga jashtë”

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për fenomenin e pastrimit të parave për vitin 2020. Sa i takon Shqipërisë, raporti vlerëson përparimin e bërë, por veçon se korrupsioni, rrjetet e krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta janë shkak i brishtësisë së Shqipërisë në luftën ndaj këtij fenomeni. Raporti vlerëson se është bërë përparim me aplikimin e ligjit anti-Mafia për konfiskimin e aseteve të krimit, ku si arritje përmendet sekuestrimi i 40 përqind të pasurive që i përkasin mbretit famëkeq të drogës Klement Balili, i quajtur “Eskobari i Ballkanit”.

Vlerësim jepet edhe për Reformën e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë. Vetingu i  gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimi i njësive të shumta policore të specializuara kundër krimit ekonomik, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parave.

Por trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda zënë hapësirën më të madhe mes veprave kriminale në Shqipëri dhe sipas raportit janë burimi kryesor i të ardhurave nga këto aktivitete.

Problem konsiderohet ekonomia informale dhe sasia e madhe e parave kesh, që hyn kryesisht nga jashtë përmes remitancave dhe investimeve të ndryshme.

Tv Klan