“Mosndëshkimi në Shqipëri mbetet problem serioz”

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2020, i cili pasqyron sfidat e veçanta me të cilat u përballën vendet e ndryshme anembanë globit.

Sa i përket Shqipërisë raporti nënvizon se vendi u përball me disa çështje të rëndësishme që prekin të drejtat e njeriut, që nga: pavarësia e gjyqësorit; kufizimet e shprehjes së lirë dhe shtypit; korrupsioni në qeverisje dhe institucione, si dhe moszbatimi i ligjeve për të miturit.

DASH-i konstaton se “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme” dhe se “Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”

Raporti sjell në vëmendje edhe vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj në 8 Dhjetor, duke e cilësuar një problem mosndëshkimin për veprimet e jashtëligjshme të policisë, ndonëse evidenton edhe përpjekje të qeverisë për ta trajtuar atë si çështje.

Sipas DASH, megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara ndonjëherë e penguan gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efikas.

Korrupsioni evidenton DASH-i në raport ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Si shembull raporti sjell një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge.

Tv Klan